VV-ja merr meritat për ligjet e kaluara, për dështimet fajëson edhe opozitën

Efikas e të suksesshëm e vlerësuan sesionin pranveror të Kuvendit deputetë të partisë në pushtet. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për media të hënën, numëruan ligjet që i kanë miratuar, duke i cilësuar sukses. Për problemet me të cilat u ballafaquan, nuk folën gjatë, e për një pjesë të tyre fajësuan opozitën
Ligjet e miratuara në sesionin pranveror të Kuvendit i numëruan një nga një të hënën, deputetë të partisë në pushtet.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se nga janari deri në korrik i kanë miratuar 44 sosh, prej tyre 11 marrëveshje ndërkombëtare.

Gjatë këtij sesioni, Kuvendit disa herë i është dashur të ndërpresë punimet shkaku i mungesës së kuorumit, e në korrik të shqyrtojë e miratojë projektligje të bartura nga muaji prill. Pati edhe rrahje.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes për shumëçka e fajësuan opozitën.

“Opozita përkundër që ka qenë prezent në sallë nuk ka marrë pjesë në votim. Është një veprim opozitar i cili dëshiron vetëm të tregojë çdo gjë tjetër pos përgjegjësisë së tyre për projektligje për shkak se në situate shumë të shpeshta nuk ka fare pjesëmarrje në votim. Kjo e ka sjellë që gjithë puna e Kuvendit të Kosovës t`i mbetet ose të bëhet përgjegjësi tërësisht e pozitës gjë të cilën e keni parë edhe në këto javët e fundit”, ka thënë Kusari-Lila.

Pengesë për hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara e konsideruan edhe dërgimin e disa prej tyre në Kushtetuese nga opozita.

Një prej çështjeve që kërkon miratimin e deputetëve është edhe Projektkodi Civil. Ai është kthyer në pikën zero pas dështimit për t’u miratuar në mars të vitit të kaluar.

Për të, Kusari-Lila dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, thanë se kanë marrë mësimet e duhura.

“E kemi marrë mësimin në kuptimin klasik të fjalës mbi atë se si duhet angazhuar gjë të cilën e kemi treguar edhe pastaj në këto seancat e fundit në aspektin e sigurimit të kourumit dhe mbarëvajtjen e seancën”, ka shtuar Kusari-Lila.

“Kur ta kemi në kuvend do ta trajtojmë por e theksoj duhet të ketë një përgjegjësi pozitë opozitë sepse është punuar gjatë në të dhe nuk është domosdo rrjedhojë e programit të kësaj mazhorance”, ka thënë Rrustemi.

Në procedurë të shqyrtimit e miratimit, sipas grupit parlamentar të Vetëvendosjes, janë edhe 47 projektligje, 21 prej të cilave janë miratuar në lexim të parë.

Kuvendi sesionin pranveror e ka mbyllur të premten, derisa punimeve pritet t`u kthehet në shtator.