Vuçiq, Veljo Nevolja dhe Edi Rama!

Naser Pajaziti

Aleksandar Vuçiq nën petkun e ujkut të kamufluar erdhi edhe në Shkup.

“Lukashenkoja” i Ballkanit nuk ishte rehat, pasi që planet dhe synimet e tij po vëniten, e sidomos tani që i është ndezur bishti nga skandalet që pushtuan mediat rajonale për dyshime për lidhje me klanin mafioz serb që dyshohet për krime monstruoze, vrasje mizore, tortura e deri tek grirja e trupave të njerëzve në makina mishi.

Veljko Belivuk, i njohur si Veljo Nevolja drejtues famëkeq i klanit mafioz serb ditëve të fundit ia ka futur drithërimat presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Vendosa të them gjithçka bukur për marrëdhënien time me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Ministrin e Policisë, Aleksandar Vulin, vëllain e Vuçiqit, miqtë, kumbarët dhe të gjithë politikanët e tjerë që na kërkuan shërbime, dhe tani ata bëjnë sikur nuk njihemi dhe lajnë duart nga ne ”, ka qenë deklarata bombë e Belivuk dhënë prokurorit serb, e që si transkript ka vërshuar mediat në rajon.

Sipas Rrjetit Serb për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit (KRIK), Belivuk i ka thënë prokurorit javën e kaluar se Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë i kërkuan atij më shumë shërbime: të mos hidhte parulla kundër tij në tribunat e Partizanit, të tilla si “Vuçiqi peder”, të frikësojë ata që organizuan protesta kundër qeverisë, madje edhe të parandalojë incidentet e huliganëve në Paradën e Krenarisë, të cilët Vuçiqit nuk iu përgjigjen, por gjithashtu për të bërë presion ndaj shoferëve të taksive për të anuluar protestat kundër transportit CarGo aplikacion.

Televizioni rajonal, Newsmax Adria ka marrë në zotërim dëshminë e pretenduar të bashkëpunëtorit kryesor të Belivukut, Marko Miljkoviq Maret, sipas së cilit vetë ministri Vulin zgjodhi shtëpinë famëkeqe në Ritopek, e cila u përdor nga klani kriminal.

Në atë “shtëpi të tmerrit”, siç u quajt nga media serbe, të cilën anëtarët e klanit Belivuk e quajtën “thertore” dhe “mishtore” në bisedat e përgjuara nga policia, është gjetur një pajisje industriale për bluarjen e mishit me gjurmë njerëzish të ADN-së, si provë e qëllimit të saj të tmerrshëm – shkatërrimi i trupave të viktimave të rrëmbyera, të torturuara dhe të vrara, që ishin klane rivale të nëntokës.

Miljkoviq ka dëshmuar se si është njohur me ministrin serb Vulin përmes gjyshit të tij që ishte këshilltar i lartë në MPB-në serbe.

Dëshmia e Miljkoviq me pseudonimin “Mesar”: “Në vjeshtën e vitit 2019, unë u njoftova me Aleksandar Vulinin në klubin Gotik, është një klub nate në rrugën Karaçorçeva… Pastaj Vulin më sugjeroi që t’i gjeja një “kuti” jashtë Beogradit për një periudhë të caktuar kohe për nevojat e tyre”.

Dëshmia për takimin me Vuçiq në një apartament në lagjen Zvezdara të Beogradit:

“Vuçiq atëherë më tha se isha i lirë të takohesha me Aleksandar Vulinin dhe të bashkëpunoja me të sepse ai është dora e tij e djathtë … Unë së pari e çova Vulinin në dy shtëpi, kjo është shumë e rëndësishme, në bregun e majtë të Danubit, do të thotë në Krnjaça , Borça dhe tjera. Atij nuk i pëlqyen ato dy shtëpi atje për disa arsye, por arsyeja kryesore ishte sepse unë isha nga ato anë, kështu që të mos na lidhnin. Pastaj e çova në Ritopek, ku ai ishte i kënaqur me të gjitha, me garazhin, ai me entuziazëm më tha se gjithçka i përshtatet, i mori çelësat e garazhit, më saktësisht telekomandën dhe tha se në atë garazh askush të mos vijë derisa ata do ta përdorin”.

Miljkoviq ka dëshmuar se për herë të fundit me ministrin e brendshëm Vulin u takua në verën e vitit 2020, kur pretendohet se ministri i kërkoi një favor në lidhje me kryetarin e Gjykatës së Lartë.

“Ai donte që unë t’i sugjeroja Milovan Tadiqit -Miksi të organizonte të dashurën e tij Tijana Maksimoviq Ajfon për ta joshur, dhe pastaj të filmonte presidentin e Gjykatës së Lartë, Aleksandar Stepanoviq, sepse, siç thotë Vulin, “ai nuk do të dëgjojë shefin”, shpjegoi Milkoviq, sipas një raporti të Newsmax Adria. Ai ka zbardhur edhe detaje se si improvizoheshin kërcënime dhe atentate gjoja ndaj Vuçiqit.

Këto ngjarje të tmerrshme të lidhjeve të pushtetit aktual serb me nëntokën kriminale po bëjnë jehonë çdo ditë me dëshmi të reja nëpër mediat kroate, boshnjake, malazeze, e larg atyre të Tiranës e Shkupit.

Ky skandal që ka tronditur ndërkombëtarët është një sinjal i qartë se çfarë e pret diktatorin serb, i cili përmes projekteve të mëdha për Ballkanin e hapur pa kufij po kërkon shpëtimin e radhës!

Nuk ka Ballkan të hapur me kriminelë. Kjo nuk shkon gjatë, e këtë sigurisht e ka të qartë edhe Edi Rama, që njëlloj nuk po ndjehet rehat!