Vuçiq anulon vizitën në Mal të Zi

Presidenti serb, Vuçiq njoftoi se nuk do të shkojë në Mal të Zi javën e ardhshme, ashtu siç kishte planifikuar, për shkak të shqetësimeve nga zyrtarët malazezë se prezenca e tij do të rriste më shumë tensionet dhe do të rrezikonte pavarësinë e vendit, raporton Associated Press.

“Vendosa që mos të shkoj dhe për këtë vendim u pajtua edhe (patriarku serb) Irinej”, tha Vuçiq.

“Ne respektojmë pavarësinë e tyre”, shtoi ai.

Më herët, Vuçiq kishte deklaruar se do të vizitonte kishat serbe në Mal të Zi në Krishtlindjen Ortodokse që festohet më 7 janar. Zyrtarët në Mal të Zi thanë se vizita e presidentit serb do të rriste më shumë tensionet në këtë vend.

Gjatë një konference për media të mbajtur sot, Vuçiq akuzoi zyrtarët malazezë dhe zyrtarët perëndimorë – ndonëse nuk tregoi se për kë bëhej fjalë – se kishin nisur një “fushatë histerike të gënjeshtrave”, që prej se ai kishte njoftuar se do të udhëtonte drejt Malit të Zi.

Ai tha se po e anulon vizitën për shkak të “përplasjeve” të mundshme që “do të mund të dëmtonin popullin serb në Mal të Zi”.

Mali i Zi u nda nga Serbia më 2006. Një e treta e popullsisë prej 620 mijë banorëve, deklarohen se janë serbë.

Protestuesit serbë kanë thënë se Ligji për fetë, që u miratua muajin e kaluar nga Parlamenti malazez, do të çojë në marrjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe që gjenden në Malin e Zi, por zyrtarët në këtë shtet mohojnë këto pretendime.

Protestuesit serbë kanë kërkuar që ky ligj të anulohet.

Mijëra huliganë kanë djegur flamurin e Malit të Zi dhe kanë sulmuar të enjten ambasadën e Malit të Zi në Beograd.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka shkruar në Twitter të premten se ajo që ka ndodhur në ambasadën në Beograd ka qenë një sulm ndaj pavarësisë së vendit të tij