Vriten 45 palestinezë në sulmet izraelite në Gaza

Sulmet e fundit të ushtrisë izraelite që synojnë shtëpitë dhe strehimoret e palestinezëve të zhvendosur në Rripin e Gazës kanë vrarë 45 persona, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite, e cila vazhdoi sulmet e saj të pandërprera dhe intensive në Rripin e Gazës, shënjestroi palestinezët e zhvendosur dhe bombardoi shtëpitë e civilëve.

Sipas informacioneve të marra nga burime shëndetësore dhe dëshmitarë okularë, ushtria izraelite me dy mjete ajrore pa pilot (UAV) kamikaze bombardoi shkollën Musa bin Nasir, të vendosur në lagjen Ad-Deraj në qendër të qytetit të Gazës, ku po strehoheshin palestinezët e zhvendosur.

Nga sulmi u vranë 10 palestinezë dhe shumë të tjerë u plagosën, shumica prej të cilëve në gjendje kritike.

Shtatë persona nga e njëjta familje u vranë në shtëpinë që i përkiste familjes “Mukayyed”, e cila u shënjestrua nga ushtria izraelite në Kampin e Refugjatëve Jibaliya në Rripin verior të Gazës.

Pasi ushtria izraelite shënjestroi një pikë karburanti që strehonte palestinezë të zhvendosur në Kampin e Refugjatëve Nusayrat në Gazën qendrore u vranë 15 palestinezë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Gjithashtu 13 palestinezë u vranë dhe disa u plagosën në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj shtëpisë që i përkiste familjes “Abu Samra” në qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 53.475 ndërsa numri i të plagosurve në 121.398.