Vrasja e Agonis Tetajt në vendin e punës, Apeli kthen në rigjykim rastin

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë, është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim, për vrasjen e Agonis Tetajt.

Ky vendim është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan. “Anulohet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Sh.G. dhe I.C., ndërsa çështja kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar dhe çështja është i kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas njoftimit Apeli ka vlerësuar se Themelorja nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.

“Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë ka theksuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e bëjnë të pa kuptueshëm dhe është e vërtetë se në këtë çështje penale, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor dhe është nxjerrë aktgjykimi, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale”, thuhet në njoftim.

Tutje është theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin.

“Rezulton se në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj lënde penale për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vepra penale e vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.5 të KPK, në veprën penale të vrajës nga pakujdesia, nga neni 181 të KPK, si dhe motivin e kryerësit të veprës penale. Ndërsa sa i përket çështjes së paraburgimit, i njëjti është shqyrtuar por kolegji i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se i njëjti duhet të zgjatet, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore, që i akuzuari Sh.G., të qëndroj në paraburgim”, thuhet në njoftim.

Me vendimin e datës 14 tetor të vitit 2022 të Gjykatës Themelore në Pejë, Shaban Gogaj ishte shpallur fajtor për vrasjen e të riut Agonis Tetaj dhe ishte dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim. Në këtë kohëzgjatje të dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë, tre vjet i janë referuar armëmbajtjes pa leje.

Trupi gjykues, në shpallje të aktgjykimit, e kishte rikualifikuar veprën penale me të cilën akuzohej Gogaj, nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Agonis Tetaj është qëlluar me armë zjarri më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të firmës ku ishte angazhuar tashmë i ndjeri.