Votimi në Kërçovë pa pengesa të theksuara! Punën e ngadalëson sistemi biometrik i votimit

Në Kërçovë vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit. Paradite fluksi i votuese ishte shumë i ulët, deri në orën 11 në Kërçovë votuan vetëm 3,42 për qind, por që kjo shifër u rrit në orët e padiste. Probleme në orët e para ka pasur me sistemin biometrik të votimit, aparatura e shenjës së gishtërinjve nuk i njihte shumë votues, ndërsa kryetarët e vendvotimeve detyroheshin që t’i gjejnë përmes numrit amë. Problemin me sistemin e shprehën edhe vetë ata.

“Po sa i takon finger print është pak i dobët, disa votues i merr e disa jo, por sidoqoftë procesi ecën”.

“Gjithçka ka shkuar në rregull deri në momentin që filluam me aparatin finger print dhe kemi vështirësi sepse nuk funksionon”.

“Merr pak më shumë kohë, megjithatë deri më tani çdo gjë është në rregull nuk ka probleme”.

Ky votues pasi shfrytëzoi të drejtën për të votuar kërkoi nga kryetari i ardhshëm i Kërçovës që të punojë më shumë.

“Të punojnë, të bëjnë rrugët, punësime për njerëzit, që nuk janë në punë”.

Kryetarja e Komisionit Komunal tha se deri në orën 13 të mesditës kanë votuar 10% e kërçovarëve dhe tha se nuk kanë hasur në probleme tjera përveç sistemit të ngadalësuar të votimit biometrik.

“Deri më tani ka shkuar çdo gjë në rregull vetëm se kemi pasur probleme me aparatet nuk kanë funksionuar si duhet. Deri më tani kanë votuar 4600 votues, 10 %”, tha Afije Jonuzi – kryetare e Komisionit Komunal Zgjedhor – Kërçovë.

Kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa TV21 do të qëndroj në teren për t’ju njoftuar me rezulatet e zgjedhjeve.