Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar rrëzimin e një rakete ruse në territorin e Polonisë si një tjetër “shkelje të papranueshme” të hapësirës ajrore të Bashkimit Evropian.
Në një reagim të publikuar në platformën X, von der Leyen shprehu mbështetjen për Poloninë dhe popullin polak, duke theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën në përballjen me agresionin rus.
“Një tjetër shkelje e papranueshme e hapësirës ajrore të BE-së, e shkaktuar nga sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë, këtë herë mbi Poloni. Për t’i dhënë fund kësaj, ne po e ndihmojmë Ukrainën ta fitojë këtë luftë në çdo mënyrë që mundemi. Në të njëjtën kohë, ne po ndërtojmë një arkitekturë të fortë evropiane të sigurisë në tokë, në det dhe në ajër”, shkroi ajo.
Deklarata e presidentes së Komisionit Evropian vjen pasi kryeministri polak, Donald Tusk, bëri të ditur se objekti që ra gjatë natës në lindje të Polonisë duket të jetë një raketë ruse.
Autoritetet polake vijojnë hetimet për të përcaktuar identitetin përfundimtar të objektit dhe rrethanat e incidentit, ndërsa ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë përgjatë kufirit lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
© SYRI.net



