Spanja në ditë të vështira, një zjarr i ri në kufi me Portugalinë

Europa nuk po gjen qetësi nga zjarret dhe ndërsa disa vatrat shuhen, të tjera janë aktivizuar mes temperaturave të larta që kanë përfshirë thuajse të gjithë kontinentin.

Në Spanjë, nje zjarr i ri u përhap pranë kufirit me Portugalinë, duke detyruar evakuimin e më shumë se 600 personave.

Shërbimet e emergjencave thanë se një total prej 11 zonash u evakuuan dhe banorët e dy zonave të tjera u urdhëruan të strehoheshin në një vend të sigurt.

Ministri i Brendshëm spanjoll ka paralajmëruar për tre ditë të vështira përpara, me erëra të forta dhe temperatura të larta, edhe pse flakët në zonat pranë Madridit thuajse janë shuar dhe mijëra qytetarë janë lejuar të kthehen në shtpitë e tyre.

Megjithatë pjesë të mëdha të Spanjës mbeten në rrezik ekstrem nga zjarret, veçanërisht në veri, për shkak të temperaturave të larta.

Zjarret janë përhapur edhe më tej në Europë. Rreth 8 mijë njerëz u evakuuan në ishullin grek të Kretës, ndërsa tre zjarrfikës humbën jetën në luftë me flakët.

Autoritetet thanë se zjarri ka arritur përmasa të mëdha dhe ndërhyrja nga ajri është aktualisht e pamundur për shkak të erërave të forta. Qindra zjarrfikës janë angazhuar në terren, ndërsa flakët janë përhapur në disa fronte.

Në Turqi zjarret janë përhapur në zonat pyjore në rajonet turistike të Antalias dhe Dardaneleve.

Ministri turk i Bujqësisë tha se të paktën 115 zjarre aktive po përhapeshin në të gjithë vendin, por 110 ishin plotësisht nën kontroll.

Zjarrfikësit po vazhdojnë punën nga toka dhe ajri, ndërsa era ka përshpejtuar përhapjen e flakëve.

Franca po sheh dritën në fund të tunelit në betejën me flakët, pasi temperaturat ranë dhe reshje shiu janë parashikuar në jugperëndim të vendit.

Zjarri nuk është përhapur përtej 42,000 hektarëve të djegur tashmë dhe autoritetet franceze dhanë miratimin për 84,000 të evakuuar që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Autoritetet kanë arrestuar edhe dy persona të tjerë me dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.

Qindra të tjerë ishin arrestur më parë, në mesin e tyre edhe një burrë që pretendonte se ishte psikolog dhe u ofronte ndihmë të evakuuarve.

© SYRI.net