Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi ka shkaktuar emocione të fuqishme në Kosovë dhe duke bërë thirrje për respektimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, Von der Leyen vlerësoi reagimet e qytetarëve dhe liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi pas aktgjykimit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”, tha ajo.
Ajo theksoi se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet të respektohet, ndërsa theksoi të drejtën e mbrojtjes për të apeluar.
“Vendimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë”, u shpreh Von der Leyen.
Von der Leyen nënvizoi se aktgjykimi lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar dhe, sipas saj, nuk përbën gjykim ndaj rezistencës së Kosovës.
Më herët gjatë konferencës, presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për historinë e Kosovës, duke thënë se ajo nuk mund të rishkruhet dhe se viti 1999 mbetet pjesë e kujtesës kolektive të qytetarëve.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive – represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtja e popullit tuaj. BE-ja ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha Von der Leyen.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën partner të fuqishëm dhe se ka mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.
“ Kosovën e kemi partner të fuqishëm. Kemi mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe themelimin e institucioneve demokratike. E ardhmja e Kosovës është në BE”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Von der Leyen tha gjithashtu se Kosova po kalon nëpër një moment të rëndësishëm politik, duke përsëritur mbështetjen e BE-së për vendin dhe perspektivën e tij evropiane.



