VMRO-ja bullgare organizoi protestë kundër heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

Partia bullgare VMRO e ish ministrit të Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov sot mbajti protestë në Kresna, kundër heqjes eventuale të vetos bullgare për fillim të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, shkrun televizioni bullgar Nova, transmeton Portalb.mk.

Protesta filloi në orën 12 sipas orës lokale nën slloganin “Mos e tradhtoni Maqedoninë”, me çka u bllokua trafiku në fushën e Kresnës.

“Nga 4 maji mbajmë aksione të ndryshme që të tregojmë se Qeveria nuk është kompetente për raportet tona me Maqedoninë e Veriut. E vërteta historike është në anën tonë”, deklaroi për TV Nova, Vladimir Mitov, njëri nga protestuesit.

Protestuesit thërrisnin parulla “Edhe më herët edhe tani, Maqedonia është bullgare”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.