Vllasi: Po fryn era e viteve të 90-ta, projekti “Bota Serbe” dëshiron ta përgjakë Ballkanin

Azem Vllasi, njohës i politikës, i ka komentuar zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, ku ka thënë se veprimet e Serbisë nëpërmjet vasalëve të saj, siç është presidenti i Republikës Sërpsak, Milorad Dodik, sipas tij janë në ndjekje të planit serb “Bota Serbe” projekt i cili është hartuar nga kryepeshkopi serb Dobrica Qosiq, që tenton ta zhdukë shtetësinë e Malit të Zi, ta ndajë Bosnje Hercegovinën në gjysmë dhe ta marrë veriun e Kosovës.

Ai ka thënë se kjo frymë e politikës serbe është si në vitet e 90-ta, ku duan ta përgjakin edhe një herë Ballkanin Perëndimor për realizimin e qëllimeve të tyre.

Kjo, sipas tij, është edhe arsye pse Milorad Dodik me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënon me veto heqjen e vizave ndërmjet Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.

“Marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime për qytetarët e gjashtë shteteve të rajonit tonë e ka pranuar edhe Serbia dhe ajo vlen si tërësi. Por, nëse Dodiku në Bosnje vë veto në ratifikim nga Parlamenti i BeH vetëm për shkak të Kosovës, duhet të ndërhyjë përfaqësuesi i lartë për BeH Christian Smid”, ka thënë Vllasi.

“Po fryn era e viteve të 90-ta, por duhet të konstatojmë faktikisht se politika serbe e në tërësi edhe në Serbi dhe e serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë që veprojnë si dorë e zgjatur e Serbisë, kjo e fundit kurrë nuk është distancuar nga politikat e viteve të 90-ta të cilat kanë shkaktuar të gjithë ato lufta dhe tragjedi nëpër Ballkanin Perëndimor. Të gjithë ishin rreshtuar pas [ish-kasapit të Ballkanit] liderit Sllobodan Milloshoviqin, kanë pasur për synim që Jugosllavinë e atëhershme ta shndërrojnë në një Serbi të zgjeruar”.

Sipas tij, plani i lartcekur ka dështuar dhe lidershipi serb përsëri nuk është dorëzuar nga ideja e tij e parë, por se vetëm e ka modifikuar atë ide e cila tani quhet bota serbe.

“Ai kryepeshkopi serb për të gjitha të zezat që serbët e kanë quajtur babai i kombit Dobrica Qosiq, në vitin 2010, së bashku me bashkëpunëtorët e tij e ka bërë memorandumin 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë, ku porosia edhe teza kryesore është që serbët çka nuk kanë arritur ta realizojnë me lufta duhet të vazhdojnë të realizojnë në paqe me mjete politike, diplomatike dhe manipulime të ndryshme, ku qëllim mbetet krijimi i një Serbie të madhe me gjysmën e Bosnje Hercegovinës me Malin e Zi duke shkri shtetësinë e këtij shteti, nëse nuk mundet me krejt Kosovën, së paku me veriun e Kosovës dhe tashti [presidentit i Serbisë Aleksandar] Vuçiq është me të dyja këmbët, edhe politika aktuale e Serbisë në atë platformë për [Botën Serbe], por ata harrojnë se askush nuk u jep territore në mënyrë paqësore, kështu janë duke i fryrë luftës dhe gjakderdhjes prapë [në Ballkanin Perëndimor]”, ka thënë Vllasi

Më tej, ai ka përfunduar duke thënë se politika serbe është kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.