Arbesa Ramani – VLEN
VLEN kërkon zgjidhje të shpejtë, të drejtë dhe institucionale për nxënësit të cilëve u është pamundësuar regjistrimi në SHFK “Petar Zdravkovski–Penko” në Komunën e Butelit.
Këshilltarët e VLEN-it në Butel, në mbledhjen e Këshillit të Komunës, ngritën çështjen e këtyre nxënësve dhe kërkuan që institucionet të veprojnë në interes të fëmijëve. Për fat të keq, kërkesa për një zgjidhje konkrete nuk mori përgjigjen e nevojshme.
VLEN e bën të qartë se këshilltarët shqiptarë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë për mbylljen e asnjë paraleleje. Po ashtu, ata nuk kanë votuar pro vendimit për rajonizimin e shkollave.
Vetë vendimi për rajonizimin, përmes neneve 7, 8 dhe 9, nuk e përjashton mundësinë e regjistrimit të nxënësve nga rajone apo komuna të tjera, nëse ekzistojnë vende të lira dhe plotësohen kushtet e përcaktuara. Për më tepër, parashihet përparësi për nxënësit që jetojnë deri në 2 kilometra nga shkolla.
Prandaj, VLEN kërkon që rregullat të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët. Është e papranueshme që në shkolla të tjera të Komunës së Butelit të pranohen nxënës nga komuna të tjera, ndërsa fëmijëve që jetojnë në afërsi të SHFK “Petar Zdravkovski–Penko” t’u mohohet mundësia për t’u regjistruar në shkollën më të afërt, aty ku ekzistojnë kapacitete reale.
VLEN është në koordinim të drejtpërdrejtë edhe me zëvendësministrin e Arsimit, me qëllim që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje konkrete dhe e drejtë për këta nxënës.
Nga kryetari i Komunës së Butelit dhe udhëheqësia e SHFK “Petar Zdravkovski–Penko” nuk kërkojmë arsyetime dhe as bartje të përgjegjësisë. Kërkojmë veprim, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje.
Fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve institucionale. E drejta për arsim dhe interesi i tyre duhet të jenë mbi çdo interes tjetër.



