Vjosa Osmani reagon pas deklarimeve kundër Vetëvdendosjes të Agim Veliut

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka reaguar pas deklarimit të Agim Veliut, nënkryetarit tjetër të LDK-së, kundër ofertës së fundit të Lëvizjes Vetëvendosje për koalicionin qeverisës.

Osmani, përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se në natën e dhjetorit të 2017-s kur eksponentë politikë dëshiruan ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, ani pse miqtë nderkombëtarë thonin se ishte ‘thikë pas shpinës’, vetëm VV i doli në krah LDK-së në ruajtjen e shtetësisë së Kosovë.

Atë natë, sipas saj, u lidh koalicioni i shpresës.

“Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thike pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimi euro-atlantik’. Meqë miqtë tanë ndërkombetarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së”, ka thënë Osmani.

Ajo thotë se këtë kthesë e kishin bërë LDK dhe VV bashkë dhe bllokuesve nuk ka çfarë u duhet partia kur nuk do ta kenë shtetin.

“Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë”, ka shkruar Osmani.

Osmani kujton kohën kur ish-Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë i kishte mbledhur zyrtarët e LDK-së dhe LVV-së bashkë dhe u kishte përçuar atyre një mesazh.

“Pyetja që shtrohet sot për kundërshtuesit, penguesit e bllokuesit e ndryshimit, në një kohë kur Kosova rrezikon të zbrazet e të shndërrohet në shtet të dështuar, është pikërisht e njejtë me atë që Ambasadori i atehershem amerikan e bëri në zyret tona në orët e vona të mbrëmjes ne v.2017 ku ishin bashkuar zyrtare nga LDK e LVV: CFARË DO JU DUHET PARTIA KUR NUK DO TE KETË MË KOSOVË?”, ka thënë nënkryetarja e LDK-së.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë sot se oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është nënçmuese dhe “përpjekje e VV-së për pushtet absolut”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Veliu ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për arritjen e koalicionit “janë të dështuara”.

“Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, ka shkruar Veliu në profilin e tij të rrjetit social Facebook.

Kreu i Komunës së Podujevës është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të fitojë pushtet absolut në vend përmes koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. /Insajderi.com