Vjen deklarata e Xhavit Halitit lidhur me qëndrimin e tij në sallë kur të votohet Vjosa Osmani

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit.

Haliti ka komentuar situatën momentale brenda kryesisë, duke thënë se Këshilli Drejtues i PDK-së ka vendosur që të mos qëndroj në sallë dhe të mos e votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

“Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, për çdo votim deputetët duhet të qëndrojnë në sallën e Parlamentit, e të votojnë, për, kundër, ose të abstenojnë. Ky vendim s’ është respektuar as zbatuar asnjëherë, sepse partitë e opozitës duke mos u sanksionuar për moszbatimin e këtij vendimi kanë bërë lojëra politike përmes të cilave, Kuvendi në mungesë të votave, ka mbetur pa miratuar me dhjetëra ligje, vendime e rezoluta”, thotë Haliti.

Ai shton se kushdo që fiton votat nga ai moment nuk është më personi që ishte, por është Presidenti/Presidentja e Kosovës.

“PDK, ka një vendim të Këshillit Drejtues. Që mos të votohet Vjosa Osmani dhe në momentin e votimit, Grupi Parlamentar, të mos qëndroj në sallën e Kuvendit. Kryesia e Grupi Parlamentar janë në diskutime permanente lidhur me situatën që po kalojmë”, deklaron ai.

Derisa, shton se ai personalisht mendon që ditën e zgjedhjes së Presidentit të gjithë 120 deputetët duhet të qëndrojnë në sallë.

“Personalisht mendoj që ditën kur zgjedhet Presidenti – Presidentja e Kosovës, të 120 deputetët duhet të jenë në sallë. Opozita duhet të ketë kandidatin e vet për President-Presidente dhe deputetët të votojnë secili sipas bindjes së vet. Kushdo që fiton votat nga ai moment nuk është më personi ose personja që ishte, por është Presidenti-Presidentja e Kosovës që në të vërtetë është Noteri dhe personi unifikues. Nëse përpiqet të dal nga këto koordinat ai ose ajo shkelë Kushtetuten dhe rregullat që është i e obliguar të zbatoj”, thotë Haliti.