Vizitë e COELA-s në Maqedoninë e Veriut

Grupi Punues përgjegjës për Zgjerimin dhe për Vendet Negociuese për Anëtarësim në BE (COELA) do të bëjë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut prej 14-15 shtator. COELA është një organ i Këshillit të BE-së, i përbërë nga diplomatë të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, i cili është përgjegjës për procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet me vendet kandidate që po negociojnë anëtarësimin e tyre në BE. COELA kryesohet nga Presidenca e rradhës e Këshillit të BE-së dhe në pjesën e dytë të vitit 2022, ky Grup Punues kryesohet nga një diplomat nga Misioni i Përhershëm i Republikës Çeke në BE.

Kjo është vizita e parë e punës e COELA-s në vend, e cila vjen si rezultat i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022. Vizita do të përfshijë takime me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin Bojan Marichikj, Ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera të përfshira në të ashtuquajturin ‘Klaster 1’ të negociatave për anëtarësim në BE (‘Vlerat Themelore’).

COELA do të takohet edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe do të marrë pjesë në seancën e përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane, të kryesuar nga deputeti Aleksandar Nikoloski dhe Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane, të kryesuar nga deputeti Arbër Ademi, më 14 shtator në Kuvend. Delegatët nga COELA do të shkëmbejnë mendime edhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë qytetare.