Vitrat për kulturë apo kultura për vitra!

Shkruan: Fitim Nuhiu

Ramazan. Muaj i begative, muaj i mëshirës dhe muaj që myslimanët shtrijnë dorën e tyre të begatë për bamirësi.

Bamirësi vetëm të ushqesh një familje me bukë!? Jo, jo, vetëm kjo s’mund të quhet bamirësi. Po pse vetëm ushqimi mendohet si bamirësi? Pse të mos mendohet se bamirësi është edhe të ndihmosh një student, një aktivitet kulturor e arsimor që është në të mirën publike, pse akoma nuk po dalim në këtë terren, pse nuk po avancojmë besimin tonë fetar dhe pse nuk po e dëshmojmë një gjë të tillë në vepër, pse të paktën nuk e lodhim kokën që edhe vetëdija tek një njeri është më e vlefshme se sa ta ushqesh me bukë një njeri ose një familje?

Pse të mos mendojmë që të sponsorosh një libër të dikujt që nuk ka mundësi botimi është një vepër që të afron tek Zoti? Eh Zoti. Ku e njohim ne se çfarë kërkon Zoti nga ne? Neve mendojmë se koncepti i Zotit për njerëzimin akoma është që “Ai” do që ne vetëm ta ndihmojmë si të mbush një bark me bukë por jo edhe një kokë me kulturë e si pasojë po ai/ajo të jetë i vetëdijshëm për jetën e vet. Epo akoma ka ngelur tek ne ky interpretim. Kush po na mbush barqet, pardon, kokat tona me interpretime të tilla? Dikush apo pavetëdija jonë kulturore, joemancipimi jonë social?

Epo dikush po.

Mos ndoshta interpretimet e sotme të betonizuara fetare po frikohen të japin paratë e tyre në këtë drejtim përshkak se kultura dhe arti po ia përplas shumë të vërteta të përbotshme fytyrës dhe disa nga mashtrimet e tyre po ia nxjerr sheshit. Ndoshta edhe kjo mund të ketë njëfarë kuptimi.

Sidoqoftë, ftoj të gjithë dashamirët e njerëzimit mbarë në përgjithësi (myslimanët e vetëdijshëm dhe të devotshëm) dhe të kombit tonë në veçanti, që të kontribuojnë me forma të ndryshme bamirëse për kulturë, për edukim, për libra, nëpër shkolla dhe për aktivitete kulturore, sepse kjo është ajo që kemi nevojë më urgjente, për atë Zot të madh që mendojmë se i besojmë ashtu siç duhet, sepse të jeni të sigurtë që edhe Zoti do të jetë i kënaqur me ne.