Viti i Ri solli rritje të rasteve me virus, Asani: Shkaku i festave, na pret valë e re

Dy ditët e fundit ka rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19. Përderisa para disa ditësh realizoheshin numër i përafërt testesh, raste pozitive kishte më pak në nivel ditor.

Mjeku Arben Asani vlerëson se kjo do të jetë vala e ardhshme e virusit korona e cila tashmë ka kapluar mbarë Evropën.

1 janar 2022 – 6.651 teste, kanë rezultuar pozitivë 435 persona.
31 dhjetor 2021 – janë bërë 5.990 teste, kanë rezultuar pozitivë 542 persona.
30 dhjetor 2021 – janë bërë 5.489 teste, kanë rezultuar pozitivë 373 persona.

Mjeku Arben Asani për TV21 thotë se në 10 ditët e ardhshme pritet që rastet pozitive me virusin korona të rriten dyfish më shumë, kjo si rezultat i festave të fundvitit. Qytetarët harruan distancën dhe maskat dhe festuan nëpër shtëpi e lokale, duke e harruar virusin korona, thotë Asani. Na pret një valë e re dhe përkeqësim i situatës epidemiologjike edhe për shkak të mungesës së masave më rigoroze, shton ai.

Dje ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se vetëm në Klinikën Infektive të Shkupit po trajtohen 60 pacientë pozitivë me virusin korona, e 40 prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit.

Në vendin tonë është shënuar edhe një rast me llojin e ri të virusit korona të ashtuquajtur Omicron. Ministri në largim Filipçe, megjithatë vlerëson se situata është e qetë dhe se nuk ka nevojë për masa shtesë restriktive dhe as ndonjë masë për nxitjen e vaksinimit te qytetarët.