Me rritjen e inflacionit, ekspertë ekonomik kanë vlerësuar se qytetarët e Maqedonisë i pret një periudhë e vështirë. Guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angellovska – Bezhovska në një intervistë për REL tha se është e nevojshme të ndërmerren më shumë masa dhe aktivitete nga autoritetet, sepse siç shtoi të gjithë do t’i ndjejmë efektet negative.
“Me që po ulet aktiviteti ekonomik, pra presim një ngadalësim të aktivitetit ekonomik dhe presione rritëse mbi inflacionin, kjo në thelb do të thotë ulje e të ardhurave te qytetarët, pra efekte negative në standardin e jetesës. Në situata të tilla, sigurisht që është e nevojshme të ndërmerren më shumë masa dhe aktivitete nga politikëbërësit për t’i zbutur ato. Pra, sigurisht që do të ketë efekte, sepse këto janë goditje të përmasave të mëdha të paprecedentë. Të gjithë do t’i ndjejmë efektet, por unë kërkoj që të ndihmohen ato grupet më të cenuara në shoqëri”, tha Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska – Bezhovska.
Bezhovksa gjithashtu këshilloi udhëheqësit politik që të shkurtojnë harxhimet e parave publike!
“Është e ditur, çdoherë duhet pasur parasysh shpenzimi i fondeve publike, sepse ato janë fonde të qytetarëve, patjetër duhet të fokusohen në kosto që ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve. Por nga ana tjetër duhet të fokusohen tek kostot, që do të thotë përmirësim i themeleve të ekonomisë”, tha Angellovska – Bezhovska.
Ndryshe, sipas Bezhovskës Banka Popullore pret rritje të borxhit publik deri në 63%, gjë që e vendos vendin në një zonë me borxhe të larta.