Virusi, Mali i Zi shtrëngon masat

Nga një shtet që e përballoi mirë valën e parë të koronavirusit, Mali i Zi sot konsiderohet ndër vendet me numrin më të lartë të infektimeve në Europë. Nga e marta, atje hyjnë në fuqi masa të reja shtrënguese për të penguar përhapjen e shpejtë të infektimeve. Ministria malazeze e Shëndetësisë njoftoi se Komisioni për Mbrojtjen e popullsisë nga infektimi me Covid -19, me propozim të Institutit për Shëndetin Publik ka vendosur që në qytetet Podgoricë, Nikshiq, Cetinjë, Ulqin, Herceg Novi dhe Plluzhinë të hyjnë në fuqi masa të rrepta që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së infektimit me Covid -19.

“Lock down ” parasheh kufizime dhe ndalime komunikacioni ndërmjet qyteteve, mbyllje të bareve, kafeneve dhe restoranteve. Pa ashtu ndalohen vizitat në parqe, në ambientet për argëtimin e fëmijëve, vendeve për sport. Njerëzve për punë do t’u kërkohet verifikim i lëshuar nga punëdhënësit, ndërsa të sëmurët lëvizjet e tyre duhet t’i dokumentojnë me raportet e lëshuara nga mjeku.

Mali i Zi mbetet një nga vendet me numrin më të madh të të infektuarve në Evropë në 100 mijë banorë. Kjo shifër arrin në 1370 të prekur. Shqetësues mbetet edhe numri i vdekjeve. Vetëm javën e kaluar në Mal të Zi me 620 mijë banorë u shënuan 60 vdekje. Spitalet janë në prag kolapsi dhe personeli shëndetësor është nën presion të vazhdueshëm.