Personat që e kanë kaluar virusin korona me simptoma të rënda edhe disa muaj më pas po përballen me probleme shëndetësore.
Shumë pacientë të shëruar nga kovidi tani po rehabilitohen në spitalin e Oteshëvës. Ata afër liqenit të Prespës çdo ditë bëjnë ushtrime relaksuese.
Pacientët thonë se kanë pasur vështirësi të mëdha në frymëmarrje edhe pasi e kanë kaluar koronavirusin, andaj ata po qëndrojnë në këtë qendër rehabilitimi për trajtim.
“Për dallim nga ditët e para që kam ardhur, këto ditë jam shumë mirë, çdo mëngjes zgjohemi shkojmë më 11:30 bëjmë ushtrime për frymëmarrjen, shëtisim këtu rreth e rrotull , hamë ushqim, pushojmë”, tha një paciente.
“Çdo ditë bëjmë terapi, bëjmë terapi për këmbët sepse e kam të dobët qarkullimin e gjakut. Oteshevën e kam vendosur çdo herë në rend të parë, nëpër vendet tjera nuk e quajë shëndetësi, ndërsa në Oteshevë sidomos me personelin jemi shumë të kënaqur”, shtoi një pacient.
Kjo qendër rehabilitimi post-covid është e vetmja në Maqedoni.
Aleksandra Pili drejtoreshë e spitalit thotë se interesimi është i lartë dhe se rastet me pasoja më të renda trajtohen më gjatë, sepse pasojat që ua ka lënë ky virus në mushkëri janë të mëdha.
“Interesimi tek ne është shumë i madh sepse jemi e vetmja qendër rehabilitimi në Maqedoni dhe më gjerë në Ish Jugosllavi, vinë shumë pacientë dhe kemi interesim të madh nga pacientët pas kovidit. Problem më të madh kjo sëmundje jep në organet respiratore, personat që e kanë pasur kovidin kalojnë në fibrozë dhe këtu tek ne rehabilitohen nga personel të mjekësisë fizikale”, deklaroi Aleksandra Pili – Drejtoreshë e Spitalit të Specializuar.
Zëdhënësja e Spitalit Biljana Goshevska tha se kjo qendër rehabilitimi ekziston mbi 40 vite dhe shërben për trajtimin e sëmundjeve pulmonale dhe trajtohen mbi 1000 pacientë në vit.
“Pacientët e parë pas kovidit kanë arritur, dmth grupi i parë, kemi kapacitet me 72 shtretër, në grupe punojnë fizioterapeut pulmologë, internistë. Për momentin grupi i parë përfundoi dhe presim nesër grup të ri të cilët do të vijnë. Pacientët që vijnë me probleme pulmonale vendosen në repartin e intern, ndërsa personat që kanë problem me lëvizjen, në pjesën e medicinës fizikale”, potencoi Biljana Gosheva – zëdhënëse e Qendrës së Oteshevës.
Ndryshe ministria e Shëndetësisë ka premtuar renovimin e këtij objekti në shtator të këtij viti. Pritet që të krijohen kushte më moderne mjekësore për rehabilitimin e pacientëve me sëmundje të mushkërive.