Pas dyshimeve se Virusi Korona në Maqedoninë e Veriut ka mbërritur në fund të dhjetorit apo fillim të janarit edhe mjekët në Francë publikojnë të dhëna për pacientë të prekur me COVID 19 në vendin e tyre po në këtë periudhë. Një pacient i diagnostikuar me pneumoni, më 27 dhjetor pranë Parisit, dyshohet se ka pasur në fakt koronavirus. Mjeku i tij, Yves Cohen tha se mostra e marrë atëbotë nga ai, është testuar së voni dhe ka dalë pozitiv për koronavirus.
Pacienti ishte një burrë 43-vjeçar nga Bobigny, në verilindje të Parisit. Ai sigurisht është infektuar mes datave 14 dhe 22 dhjetor, sepse simptomat e koronavirusit shfaqen nga pesë deri në katërmbëdhjetë ditë pas infektimit – deklaroi Yves Cohen, mjek.
Pacienti tashmë i shëruar ka thënë se nuk e dinte se si ishte infektuar pasi nuk kishte udhëtuar jashtë shtetit, ndërsa simptomat e tij kryesisht ishin vështirësi në frymëmarrje, temperaturë dhe tharje e fytit. Sipas mjekëve të sëmurë ishin edhe fëmijët e tij, ndërsa bashkëshortja nuk kishte kurrfarë simptomesh. Mjekët dyshojnë se ajo mund të ketë qenë asimptomatike. Gruaja punonte në një market në afërsi të aeroportit Sharl e Gol dhe dyshohet se mund të ketë pasur kontakte me turistë të mbërritur nga Kina. Ministria franceze e Shëndetësisë ka paralajmëruar hetimin e plotë të rastit. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë “nuk është befasues” raporti për pacientë me Koronavirus në shtetin francez më herët seç është menduar deri më tani. Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier u bëri thirrje vendeve të tjera që të hulumtojnë nëse kanë pasur raste me COVID 19 në fund të vitit 2019, pasi sipas tij kjo do t’i jepte botës një pasqyrë të re dhe më të qartë të shpërthimit të koronavirusit. Prova për ekzistimin e Virusit Korona, para se të zbulohen rastet zyrtare, kanë gjetur edhe studiuesit në SHBA. të cilët kanë thënë se në Kaliforni dy persona kanë vdekur nga Virusi Korona, disa javë para se të njoftohet rasti i parë zyrtar i vdekjes nga ky virus. Edhe në Shqipëri, epidemiologët, njoftuan se sipas hulumtimeve të bëra, Virusi Korona ka qenë aktiv që në muajin janar.
Mund të them që ky numër rastesh ka qenë që në muajin janar, më 20 janar konkretisht unë kam gjetur rreth 54 raste të identifikuara virologjikisht nga instituti ynë – u shpreh Eduard Kakarriqi, epidemiolog.
Pasi Virusi Korona, filloi me shpejtësi të shpërndahet jashtë vatrës, në Wuhan të Kinës, Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 mars, për herë të parë e shpalli Virusin Korona si pandemi globale.