Violinistja Lao Li në “Carnegie Hall”

Violinistja kineze Lao Li, përmes talentit të saj ka mundur t’i paraqesë botës pjesët klasike kineze, nëpër koncertet që ka dhënë në shumë vende, shkruan CMG. Së fundi, në “Carnegie Hall”, në Nju Jork, ajo mori ovacione nga salla, pas interpretimit të “Violin Concerto No 1”, nga kompozitori i mirënjohur Zhao Jiping, një vepër që shpreh dhe përshkruan bujarinë dhe dashamirësinë ndaj njerëzimit.

Violinistja kineze pritet me ovacione në “Carnegie Hall”

Kur violinistja Lao Li mbajti koncertin e saj në “Carnegie Hall”, në Nju Jork, më 6 korrik, ajo u prek aq shumë kur “Violin Concerto No 1”, nga kompozitori i mirënjohur Zhao Jiping u prit me ovacion të madh në pjesën e dytë të koncertit. Pasi Lao mbaroi notën e fundit, ajo vuri re se publiku po qëndronte në këmbë, duke brohoritur dhe duartrokitur.

“Isha aq e tronditur dhe e prekur, pasi nuk e prisja që publiku do të reagonte kaq ngrohtë ndaj një kompozimi kinez”, kujton Lao.
Së bashku me pianistin An Tianxu, ajo u rikthye në skenë dhe luajti “Introduction” të Saint-Saens dhe “Rondo Capriccioso”, që ishte pjesa e fundit në program. Pas duartrokitjeve entuziaste të publikut, koncerti përfundoi pas përsëritjeve të dy pjesëve nga Lao dhe An.

“Violin Concerto No 1” nga Zhao u porosit nga Qendra Kombëtare për Artet Performuese në vitin 2017. Vepra shpreh dhe përshkruan bujarinë dhe dashamirësinë ndaj njerëzimit. Vitin e kaluar, kompozitori kontaktoi Lao, duke shpresuar se ajo do ta luante pjesën dhe do t’i jepte një perspektivë femërore dhe një energji të re.

Lao kaloi një muaj duke mësuar pjesën muzikore dhe e performoi për herë të parë së bashku me Orkestrën Simfonike Guiyang nën drejtimin e dirigjentit Zhang Guoyong, gjatë një turneu koncerti në gusht 2022 në qytetin e lindjes së Zhaos, Xi’an, në provincën Shaanxi.

“U ndjeva shumë e lidhur me “Violin Concerto No 1” të Zhaos, që është shumë e ngrohtë dhe përcjell dashuri universale. Do të doja të prezantoja më shumë kompozime kineze për audiencën perëndimore dhe “Violin Concerto No 1” më erdhi në mendje menjëherë kur u përgatita për koncertin në “Carnegie Hall””,- thotë Lao.

Ajo deklaroi se e planifikoi koncertin në “Carnegie Hall” në verën e vitit 2020, por u shty për shkak të pandemisë Covid-19. Në gjysmën e parë të koncertit, ajo interpretoi muzikë klasike perëndimore, si “Nocturne” në C Minor e Chopin, “Melodie” e Çajkovskit dhe “Sonata No 1” e Schumann për violinë dhe piano.

Në gjysmën e dytë të koncertit, ajo prezantoi muzikën kineze. Lao interpretoi për herë të parë me violinë një pjesë të njohur të Operës së Pekinit, të quajtur “Li Hua Song”, ose “Ode për lulet e dardhës”.

Kënga, e kompozuar nga Yang Nailin, e rikompozuar nga Xia Liang, ishte nga produksioni i Operës së Pekinit, “The Royal Consort of Tang”, e cila ka të bëjë me konkubinën legjendare mbretërore Yang Yuhuan të dinastisë Tang (618-907) dhe lidhjen e saj tragjike të dashurisë me perandorin Li Longji. Në vitin 1925, mjeshtrja e Operës së Pekinit, Mei Lanfang (1894-1961) shfaqi premierë pjesën e Operës së Pekinit duke interpretuar rolin e Yang.

Lao është shumë e dhënë pas Operës së Pekinit dhe vendosi ta jepte atë premierë si një pjesë violine.

“Përdora violinën për të përshtatur pjesën e Operës së Pekinit, gjë që është shumë sfiduese. Doja të bëja diçka për të vazhduar kulturën tonë dhe ndërkohë të shtoja pak kreativitet. Kur interpretova pjesën e Operës së Pekinit në “Carnegie Hall”, publiku u njoh disi me formën e artit të lashtë kinez përmes interpretimit të violinës”, tha Lao.

Nuk është hera e parë që violinistja përdor instrumentin e saj për të imituar tinguj të muzikës dhe instrumenteve tradicionale kineze.

Në vitin 2017, ajo interpretoi “Chinese Sights and Sounds”, një vepër e përbërë nga 24 kompozime orkestrale nga Bao Yuankai në vitin 1991, duke përdorur violinën për të imituar tingujt e instrumenteve muzikore tradicionale kineze, të tilla si erhu (violinë kineze), xiao (një flaut bambuje) dhe suona (një instrument frymor prej druri).

Gjatë koncertit në “Carnegie Hall”, Lao interpretoi gjithashtu “Cai Diao”, një përzgjedhje nga “Chinese Sights and Sounds” e Baos, e cila është përshtatur nga një këngë popullore e provincës Yunnan.

Ajo sapo ka përfunduar regjistrimin e një albumi me kompaninë e muzikës klasike “Naxos”, ku përfshihen shumica e pjesëve që ajo performoi gjatë koncertit në “Carnegie Hall”.

E rritur në Wuhan, në provincën Hubei dhe Pekin, Lao u njoh me violinën nga nëna e saj, e cila është një pediatre dhe dikur një muzikante.

“Nëna ime e do muzikën. Ajo vazhdonte të merrte mësime violine kur ishte shtatzënë. Kështu që tingulli i instrumentit më ka shoqëruar që para lindjes”, thotë Lao.

Pasi u regjistrua në shkollën fillore të lidhur me Konservatorin Qendror të Muzikës, Lao studioi me profesorin legjendar të violinës Lin Yaoji (1937-2009), si nxënësja e tij më e re në atë kohë. Në moshën 18-vjeçare, Lao fitoi një bursë të plotë për të studiuar në Universitetin e Sinsinatit “College-Conservatory of Music”. Më pas, ajo u transferua në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të studiuar në Konservatorin e Muzikës në New England, ku mori diplomën bachelor dhe master. Me një bursë të plotë, Lao vazhdoi studimet e saj akademike në Shkollën e Muzikës “Reina Sofia” në Madrid, Spanjë, me violinistin dhe profesorin legjendar Zakhar Bron.
E frymëzuar nga qasja e mësimdhënies së Bronit, Lao ka përkthyer në kinezisht “The Art of the Etude” të Bronit, një përmbledhje e viteve të tij të mësimdhënies, së bashku me një libër studimi për violinë.

Në vitin 2017, kur Orkestra Kombëtare Simfonike Çeke interpretoi gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Arteve në Shangai,

Lao u ngjit në skenë në momentin e fundit dhe mori komente tepër të mira për performancën e saj të “Violin Concerto” në E Minor, Op 64, e Felix Mendelssohn.

“Më kujtohet ende se më është dashur të ushtrohesha në fluturim, sepse provat filluan menjëherë pasi zbrita në Shangai dhe koncerti ishte në të njëjtën natë”, thotë Lao.

Violinisti Donald Weilerstein e ka vlerësuar performancën e Laos si prekëse, delikate, plot imagjinatë dhe ngrohtësi.

Në vitin 2018, Lao u kthye në Kinë dhe që atëherë jep mësim në Konservatorin Qendror të Muzikës në Pekin.