Vetëm Shqipëria hesht…

Nga Enver Robelli

Dje Ambasada e Francës në Twitter shkroi: “23 vjet më parë në Reçak u vranë 45 civilë të pafajshëm. Drejtësia duhet të vihet ne vend.

Ne nuk do ta harrojmë këtë masakër dhe viktimat e saj”. Dje ambasadori i SHBA-ve mbajti një fjalim në nderim të viktimave të Reçakut dhe kundër atyre që mohojnë këtë masakër. Dje ambasadori i Britanisë së Madhe mori pjesë në komemoracionin për viktimat e Reçakut.

Politikanët e Kosovës, mediat, zërat publikë nderuan e kujtuan të vrarët, të gjithë civilë të paarmatosur. Në krejt këtë tablo mungon diçka: mungon Shqipëria. Shqipëria heshti për Reçakun. Një fjalë nuk e tha Ministria e Punëve të Jashtme. Nuk foli as kryeministri. Nuk folën as politikanë kryesorë të opozitës.

Nuk folën as intelektualë e zëra të tjerë publikë, nuk folën as shumica e publicistëve, nuk folën as pjesa më e madhe e gazetarëve të njohur e me ndikim, nuk foli askush. Heshtja e tyre flet shumë. Në një botë ideale në Tiranë do të hapej një ekspozitë për krimet në Reçak. Në Korçë kryetari i Bashkisë do të hapte po ashtu një ekspozitë (ah, jo, se ai merret me festa birre…), në Elbasan do të projektoheshin emrat e viktimave, në Sarandë, në Vlorë, në Shkodër…

PS. Për korrektësi: foli ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Një zë pothuaj i vetmuar.

*postim i huazuar nga muri i fejsbukut i autorit