Vetëm katër lojtarë të Barcelonës morën duartrokitje në Bernabeu – Yamal është njëri prej tyre

Të fitosh duartrokitje në stadiumin Santiago Bernabeu është një nder i rrallë, të cilin vetëm një pjesë e vogël e lojtarëve të Barcelonës e kanë përjetuar.

Mes lojtarëve të Barcelonës që kanë përjetuar duartrokitjet e Bernabeut janë ikonat e futbollit Diego Maradona, Ronaldinho dhe Andres Iniesta.

Maradona e kishte përjetuar i pari më 1983, Ronaldinho pastaj në vitin 2005 dhe Iniesta më 2015.

Tani, kësaj liste yjesh dhe legjendash i është bashkuar edhe sensacioni spanjoll, Lamine Yamal.

Ndonëse, ndryshe nga të tjerët në listë, 16-vjeçari ka fituar ovacionet e tij teksa ka veshur ngjyrat e kombëtares spanjolle.

Sulmuesi anësor i Barcelonës ishte një nga lojtarët më të spikatur në një miqësore emocionuese 3-3 me Brazilin e luajtur në Bernabeu të martën, më 26 mars.

Ndoshta një ditë historia përsëritet, por herën tjetër Lamine do të veshë fanellën e Blaugranëve.