Vetëm 39.1% e popullsisë e vaksinuar gjatë vitit 2021

Vaksinimi kundër koronavirusit, në vend filloi në shkurt të vitit që po lëmë pas. Fillimisht u vaksinuan mjekët, si më të rrezikuar për shkak të kontaktit me pacientë të infektuar, e më pas dhe punonjësit tjerë në shëndetësi, shkruan Alsat.

Me ardhjen e më shumë dozave të vaksinës, komiteti nacional për imunizim iu dha përparësi të ashtuquajturave grupe të rrezikuara të qytetarëve për t’u vaksinuar; të moshuarit mbi 65 vjeç, të sëmurët kronik, punonjësit e armatës, policia, punonjësit në arsim, zjarrfikësit dhe gazetarët.

Gjatë muajve të parë që kur filloi procesi i vaksinimit, interesimi i qytetarëve ishte shumë i lartë, megjithatë, ky hov i të interesuarve zgjati shumë pak. Pasi u vaksinuan grupet e rrezikuara si dhe një pjesë tjetër e qytetarëve, vaksinimi thuajse stagnoi. Shumë pika vaksinimi u mbyllën si pasojë e uljes së numrit të qytetarëve të cilët shkonin për tu vaksinuar.

Pas muajit gusht, kur edhe u regjistrua vala e katër e virusit u shtuan masat shtrënguese nga Qeveria, të cilat ndër tjerash nuk lejonin qytetarët e pa vaksinuar të futen nëpër restorante e kafene, ndërkaq objektet gastronomike u ndaluan të mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve të brendshme. Për bizneset që do të pranonin mysafirë të pa vaksinuar u shqiptuan edhe gjoba.

Me dy doza deri në fund të vitit janë vaksinuar mbi 811,000 qytetarë ose 39.1% e popullsisë ndërkaq dozën e tretë e kanë pranuar mbi 86,000 persona. Ekspertët konsiderojnë se për t’u arritur imuniteti kolektiv, e nevojshme është të vaksinohet 80-90% e popullatës.

Interesimin e ulët për t’u vaksinuar, shumë ekspertë e lidhin me mungesën e fushatave të ndërgjegjësimit kundër Kovid19.

Ndërkohë, virusi korona vazhdon të krijojë mutacione tjera. Varianti i fundit “Omikron” thuhet të jetë shumë herë më shpërndarës se sa variantet tjera të deritanishme. Ekspertët e OBSH parashikojnë që fundi i pandemisë do të vijë atëherë kur do të vaksinohen të gjithë njerëzit./ Alsat.mk