Vetëdijësimi dhe bashkëpunimi i partive shqiptare

Aleanca për Shqiptarët ka dhënë një shembull të mirë me mos përkrahjen e interpelancës së partive maqedonase kundër kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, i cili ka folur shqip në Bruksel.

Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe thotë se arsyeja e interpelancës kundër kryetarit të Kuvendit është e pabazë dhe nuk do ta mbështesin.
Sipas tij, opozita ka shumë vërejtje ndaj Xhaferit si kryetar i Kuvendit por në rastin konkret opozita shqiptare vlerëson se përdorimi i gjuhës shqipe nga Xhaferi nuk përbën bazë për interpelancë kundër të parit të Kuvendit.

Po të njëjtën ditë partitë shqiptare kanë shprehur qëndrime të unifikuara edhe sa i përketë rezolutës së propozuar nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja për caktimin e vijave të kuqe me Bullgarinë.

Përmes rezolutës që duhet të kalojë për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, VMRO-ja kërkon “të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore.

Partitë shqiptare, si Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ashtu edhe ato në opozitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë shprehur kundër rezolutës. Ato thonë se “nuk mbështesin asnjë dokument që cenon rrugën drejt BE-së dhe prishjen e raporteve të mira ndërfqinjësore”.

Një bashkëpunim mes opozitës dhe pozitës shqiptare vërehet edhe tek Ligji për nënshtetësi, ku Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur se do ta mbështesë këtë nismë të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Këto zhvillime politike janë një sinjal i mirë se partitë shqiptare mund të jenë me qëndrime të unifikuara për cështjen shqiptare dhe zhvillimet të cilat nuk kanë të bëjnë me politikat ditore. Në të ardhmen ato do të bëjnë garë të fuqishme politike, por duket se do jenë të mobilizuar kundër politikave dashakeqe maqedonase ndaj shqiptarëve.(INA)