Vetëdija jonë historike është ajo që pyet: Po Europa a do të na ndihmojë? Apo do të na braktisë përsëri?

Ndriçim Kulla

Miqtë e vërtetë njihen ne kohë të vështira, thotë një fjala jonë e urtë popullore. E kohë më të vështirë për Shqipërinë, nuk besoj se ka pasur gjatë këtyre dekadave. Një valë e tërë qëndrese e solidariteti ka përshkruar si rrymë elektrizuese të gjitha pejzat e kombit tonë, kudo ku janë të përhapur individët e tij. Një valë solidariteti ndihet edhe nga miq të tillë si Turqia apo vendet arabe. Mirëpo vetëdija jonë më e thellë, vetëdija jonë historike është ajo që pyet: Po Europa a do të na ndihmojë për t’u ringritur prej kësaj goditje të stërmadhe që na dha tërmeti i 26 Nëntorit? Apo do të na braktisë përsëri? Ndoshta nuk kemi plotësisht të drejtë të flasim kështu, do të thotë dikush. Europa na është gjendur gjithmonë pranë. Po kështu, në shpirtin e saj solidariteti është pjesa më e fortë dhe më e qëndrueshme. Atëherë pse vallë mund të duket si e mundur një braktisje e tillë? Ndoshta pse është ende e patharë plaga që ajo na shkaktoi me refuzimin e hapjes së negociatave? Apo mos vallë pse thellë-thellë na duket se ekziston një paragjykim ai që na i mbyll gjithmonë rrugët? Ka shumë gjera që e përforcojnë këtë mendim, por po aq edhe që e kundërshtojnë. “I kemi lënë njëherë shqiptarët nën thundrën e otomane, në vitet 1400” do të shprehej kryeministri italian Giuseppe Conte gjatë debateve të forta për çeljen e negociatave. Po ashtu, e lanë Shqipërinë në Jaltë nën mospërfilljen e Winston S. Churchillit dhe në 1945 në grykësinë ekspasioniste të Stalinit, të përfshihej në bllokun e lindjes, mund të vijonte një historian, për të sjellë fakte të një kohe më të re. Edhe njëherë u shfaq “gogoli i paragjykimit të përkatësisë myslimane”, mund të numëronte një herë të tretë një skeptik.

Ndoshta mund të zbuten dhe të lëmohen mjaft qëndrime që lidhen me këto udhëkryqe të historisë sonë, por nuk mund të hiqen kurrë gurët e qoshes së shtëpisë sonë shpirtërore dhe historike. Ato tregojnë se ne e kemi pasur një vend nderi në sofrën e Europës në epokën e Skënderbeut, atëherë kur shumë të tjerë bëheshin vasalë e bashkëpunëtorë të atyre që kërkonin ta rrënonin nga rrënjët pikërisht këtë Europë. Ishte ajo qëndresë legjendare, që ndryshoi përgjithmonë fatin e historisë sonë, ajo që u bë mburoja e krishtërimit dhe asaj Europe që sot po ia kërkojmë përsëri një vend. Kohërat kanë ndryshuar, nuk mund të jemi përsëri romantikë, por realistë, do të thoshin pragmatistët. Vërtet, dinjiteti i shtetit dhe i shoqërisë shqiptare është njollosur thellë nga varfëria, korrupsioni apo miopësia dhe grykësia e klasës sonë politike, dhe mund të mos duket i duhuri që Europa të na i hapë dyert. Mirëpo nuk duhet harruar ajo që është më e rëndësishmja. Europa është një aleancë e krijuar për kombet dhe mirëqenien e tyre. E kombi shqiptar, në shpirtin e vet, është ndjerë gjithmonë i denjë për të qenë një europian i mire dhe i respektuar. Një ftesë për të çelur negociatat kur refuzohet paralizon apo shkurajon popullin e një shteti, jo pushtetarët dhe klasat e tij politike të cilët së brendshmi këtë ndoshta dëshirojnë. Një refuzim vret shpresën e rinisë së një kombi, jo biznesmenët apo mekanizmat kontrollues të kësaj klase. Ndaj, hapja e negociatave do të ishte dhurata më e çmuar apo ndihma më e madhe që mund t’i jepej këtij kombi për të luftuar dhe për të dalë nga dara ku e ka mbërthyer pafuqia për të luftuar me sistemin dhe politikanët e vendit të vet. Nuk mund të të ndihmojë kush, kur nuk je i zoti të ndihmosh veten tënde, do të hidhej e të thoshte përsëri skeptiku. Miqtë e mirë janë ata të kombeve, jo të qeverive.

E miqtë e vërtetë shihen kur dikush është i pafuqi, kur e sulmon natyra, kur e mbulon fatkeqësia dhe jo kur ai mundet t’ia dalë mbanë, por nuk do. Ndoshta këtu zë rrënjë pema e dyshimit të braktisjes. Ndoshta nga qëndrimet e njëanshme harlisen degët e saj. E përsëri, ne nuk duhet ta humbim besimin, zbrazësia nuk duhet të na sjellë davaritjen e shikimit dhe lajthitjet e panevojshme të momentit. Diçka të tillë duhet ta gozhdojë në derën e vet çdo kryeministër e çdo mazhorancë që do të qeverisë Shqipërinë, pasi shpirtin e kombit s’mund ta përdhosë askush. Pra, në një pështjellim të tillë mendimesh e debatesh, tërmeti dhe pasojat e tij katastrofike, duket se sollën mjaft ushqim për të formësuar përsëri bukën e pjekur të dyshimit. A do të na ndihmojë Europa, sa për të na hedhur hi syve tash që fatëkeqësia e tërmetit na ka shtrirë përtokë? A do të vijojë ajo trendin e vet të paragjykimit siç ndodhi me presidentin francez Emanuel Makron kur refuzoi prerë negociatat me Shqipërinë? Apo braktisja tashmë do të kthehet në mëshirë? Nuk do të donim t’i përgjigjeshim asnjërës prej këtyre pyetjeve, por jemi të detyruar t’i përmendim, sepse besojmë fort se janë ngjyrat e ndryshme të ndërgjegjes së sotme të vetëdijes shqiptare. Më patriotët entuziastë do të shpreheshin në emër të trashëgimisë sonë historike, fuqisë së brendshme shpirtërore që na ka karakterizuar gjithmonë dhe besimit të patundur se dielli ynë lind gjithmonë nga perëndimi.

Ne jemi nga europianët më të lashtë të këtij kontinenti, kemi qenë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë, kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar ashtu siç rigjenerohet një plagë. Kur u shkëputëm me dhunë nga Europa i fshehëm në gji veglat e ndërtimit të shpirtit europian, që i morëm nga tryeza e Rilindjes Europiane, ku ishim pjesëtarë me karrigen tonë në kohën e Skënderbeut. Me këto vegla improvizuam diçka të re, një shpikje tonën, harmoninë dhe tolerancën mes katër feve, a ndoshta pesë apo gjashtë, nëse do të shtojmë sot edhe hebrenjtë e Shqipërisë që janë ringjallur si komunitet dhe protestantët. Por ndoshta vetëm kjo nuk do të mjaftonte, do të përgjigjeshin realistët.

Fatmirësisht, sot në Europë ka udhëheqës vizionarë dhe njerëzorë, si Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri Italian Xhuseppe Conti që po përpiqen qsrtësisht për të mirën e Shqipërisë. Ka qeveri mike dhe dashamirëse, si qeveria polake, hungareze, rumune ,austriake, çeke etj. që janë të predisponuara ta ndihmojnë Shqipërinë. Megjithatë, kjo është prova më e madhe e zjarrit në ndihmën e sinqertë dhe të vërtetë të një miku. Goditja qe e rëndë dhe na ka shtrirë përtokë. Më tepër se psikologjike është ekonomike dhe sociale. Shpatullat e brishta të një ekonomie dhe një vendi të vogël do të rëndoheshin dramatikisht nga një barrë e rëndë dhe gjunjëzuese për vite të tëre jo vetëm ekonomike, shëndetsore, zhvillimore, por sidomos kulturore dhe arsimore, ku stanjacioni tyre do të sillte pasoja në dekadat e ardhshme. Por më e keqja do të qe se një brez i ri tashmë në arrati, do të dënohej me vrasjen përfundimtare të shpresës. Dhe një komb që e bjerr pranverën e tij, do të qe i dënuar shumë. Kjo është arsyeja më e madhe dhe më e thellë se përse Europa kësaj here s’duhet t’ia lejojë vetes shkujdesjen ndaj një kombi sytë e të cilit kanë parë dhe kanë ndjerë gjithmonë regëtimat e zemrës së saj. Braktisja do të godiste pikërisht shpirtin e vetëdijes shqiptare, atë që ndoshta nuk e kish prekur as edhe refuzimi i negociatave. E shpirti kur vritet nuk është kurrë më i pari, edhe atëherë kur mund të shërohet përsëri. E ardhmja jonë nuk do ta duronte dot një dhunim të tillë.