Vërtetohet verifikimi i listës zgjedhore, në Diasporë vështirë të votohet

Mbrëmë në mesnatë përfundoi afati për verifikim në Listën zgjedhore dhe për paraqitjen e diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill. Nga KSHZ-ja informojnë se edhe krahas masave për përballje me koronavirusin, aktivitetet e saja përfundojnë në pajtim me vendimet e Qeverisë. Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga 26 shkurti, kur filloi verifikimi në Listën zgjedhore, e deri më 10 mars, në njësitet rajonale dhe zyrat e Komisionit në vend, kontroll kanë bërë 9,084 votues. Të regjistruar në Listën zgjedhore në periudhën e njëjtë janë 233 qytetarë. Vendim për fshirje është sjell për 47 qytetarë, ndërsa për 74 qytetarë është bërë ndryshim i të dhënave në listë. Mbrëmë në mesnatë përfundoi edhe afati për kontroll në Listën zgjedhore dhe për paraqiten e diasporës për votim. Deri dje në orën 11:00 për votim në diasporë janë paraqitur 6.308 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Votimi në diasporë do të organizohet vetëm nëse numri i të paraqiturve është mbi 6.540 gjegjësisht aq sa në zgjedhjet e fundit ka fituar deputeti me numër më të vogël të votave. E pasigurt është nëse do të ketë votim në diasporë edhe për shkak të gjendjes me Kovid-19. KSHZ-ja është e angazhuar në afat prej pesë ditëve (16 mars) nga dita e përfundimit të verifikimit publik Listën zgjedhore ta dorëzojë deri te partitë politike. Partitë, deri më 19 mars dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose shlyerje të të dhënave. KSHZ-ja pas kërkesës së parashtruar vendos me vendim në afat prej dy ditëve nga dita e pranimit të kërkesës.

Ajo që është risi është që në Listën zgjedhore nga ky vit nw to vendosen të gjithë personat që i mbushin 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve. Deri më 17 mars në KSHZ duhet të arrijnë edhe të dhënat për personat në burgje, në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si dhe nga MPPS për personat të cilët janë paraqitur për votim në institucionet për kujdes jashtëfamiljar. Listën zgjedhore në të cilën janë kryer të gjitha ndryshimet që kanë dalë nga verifikimi publik, e shtypur në formë të certifikate, KSHZ-ja e mbyll më së voni deri më 23 mars. Listën e mbyllur zgjedhore KSHZ-ja e nënshkruan më së voni deri më 2 prill, gjegjësisht dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.