Vërshimet në Kosovë, dëme edhe në Spitalin e Mitrovicës

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, sot ka vizituar ambulancat specialistike të Spitalit të Mitrovicës, të cilat pas reshjeve të vazhdueshme të shiut, janë përfshirë nga uji.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka informuar se në takim me drejtoreshën e Spitalit, Luljeta Buçinca-Zhubi, Zejnullahu-Raçi është njoftuar se dje pas reshjeve të pandalshme të shiut, meqë ambulancat ndodhen në bodrumin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, janë vërshuar nga uji.

U.d. drejtoresha Zejnullahi-Raçi ka ofruar mbështetje nga ShSKUK për ta tejkaluar sa më parë këtë situatë.

“Aktualisht, po punohet nga shërbimet përkatëse që po largojnë ujin. Shërbimet shëndetësore ambulantore ortopedike janë ofruar në objektin e Spitalit të Mitrovicës, përderisa Reparti i Pediatrisë që vepron në kuadër të QKMF-së, po vazhdon të ofrojë shërbime mjekësore. Në objektin e Spitalit ku ndodhen repartet e tjera nuk ka pasur telashe pas vërshimeve”, është bërë e ditur në njoftim.

Ambulancat specialistike funksionojnë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

Vërshimet, në Mitrovicë dëmet janë të mëdha (FOTO/VIDEO)

Reshjet e shumta të shiut në qytetin e Mitrovicës kanë vërshuar shumë shtëpi të kësaj komune, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Nënkryetari i kësaj komune, Arian Tahiri, ka bërë të ditur se në raport me ditën e djeshme, situata sot është më e qetë.

“Sot është më qetë. Niveli i ujit në lumenjtë Ibër dhe Lushtë ka filluar me ra. Përveç në lagjet “Fidanishte”, “Adem Voca” dhe një pjesë në “Bair”, në përgjithësi situata është më e qetë sesa dje. Të gjitha ekipet ndodhen në terren dhe janë duke punuar në pastrimin e rrugëve dhe evitimin e rrezikut për qytetarët”, ka thënë Tahiri.

Për shkak të situatës më të re të krijuar në këtë komunë shkollat sot nuk kanë mbajtur mësim.

Aktualisht reshjet janë ndalur në këtë qytet, por që mund të ketë rrezik nëse ato vazhdojnë.