Vdiq artisti, muzicienti Ylber Vejseli (djal i Ismet Vejselit)

Shkruan: Albina Hajdari

Sot në orët e hershme, pas dy ditë sëmundjeje, ndërroi jetë muzicienti, artisti dhe ish-mësuesi Ylber Vejseli, në moshën 57 vjeçare (u lind në vitin 1963). Tanimë i ndjeri Ylber Vejseli, rrjedh nga një familje me traditë muzicientësh, përndryshe është djal i dytë i doajenit të këngës shqipe, këngëtarit me famë e nam, ndër viset shqiptare Ismet Vejseli.

Ai që në rininë e hershme shfaqi talentin për muzikë “zanatin e babait”, me ç’rast iu përkushtua këtij profesioni, të cilin filloi ta mësojë që në shkollë fillore në Kumanovë, pastaj për të vazhduar në shkollën e mesme të muzikës në Prizren, dhe më vonë duke i vazhduar studimet, po për këtë profesion, edhe në Prishtinë.

Më pastaj kthehet në vendlindjen e tij Kumanovë, ku vazhdoi për disa vite të punojë si mësimdhënës muzike. Ai një kontribut të veçantë e dha për kultivimin e këngës origjinale, burimore shqipe, sidomos në Shoqërinë Kulturo-Artistike “Bajram Shabani”, por edhe në përgatitjen e brezave të rinj.

Familja Vejseli, sot njihet anëmbanë trevave shqiptare për ndihmesën që ka dhënë në ruajtjen me fanatizëm të vlerave kulturo-artistike të këngës shqipe, dhe në përgjithësi në këtë lëmi.

Si rezultat i kultivimit të kësaj fryme familjare, sot kjo familje ka nxjerr edhe talentin e madh në këtë fushë, gjegjësisht tenorin e njohur në shtetet e rajonit që po ngjitet Majave të muzikës, Ismet Vejseli (djal i të ndjerit Ylber Vejseli).

Pusho i qetë në botën e amshueshme, Beli!