Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është shprehur e tronditur për lajmin, ende të pakonfirmuar, për zhdukjen e Adonis Gashit, njërit prej shokëve të qelisë së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se sikurse mbrëmë nuk kanë asnjë informacion nëse lajmet në fjalë janë të sakta, e nëse po çka do të bëjnë institucionet në këtë drejtim
Ajo ka kërkuar që familja, aktivistët dhe qytetarët të njoftohen sa më parë për rastin.
As sot, Prokuroria dhe Policia ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me këtë rast.
“Siç vdiq shoku i qelisë së Astritit, ka vdekur edhe hetuesi i parë i rastit të Arbnorit”
Në tetor të 2019-ës, Xhemile Dehari, nëna e dy aktivistëve të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbnor e Astrit Deharit, pati shprehur habinë për dy vdekje të tjera, që ndërlidhen me hetimin e rasteve të vdekjeve të dy djemve të saj.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, Xhemile Dehari, deklaroi se është për t’u çuditur se si disa kohë pas vdekjes së djalit të madh të saj, Arbnorit, kishte ndërruar jetë hetuesi i parë i këtij rasti.
“Është shumë për t’u çuditur se hetuesi i parë i rastit të djalit tonë të madh, Arbnorit, vdiq, ndërkaq edhe Astritit i vdiq shoku i vetëm i burgut. Për çka po ndodhin këto gjëra”, ka thënë ajo.
Nëna e Astrit e Arbnor Deharit ka folur edhe për mos transparencën e institucioneve lidhur me rastet e djemve të saj. Ka kritikuar Prokurorinë e Ministrinë e Drejtësisë./Insajderi.com