Ka ndërruar jetë Sahit Jashari, njëri ndër themeluesit dhe ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Prekazi i Skenderajt.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga drejtori komunal i Skenderajt, Arbër Geci, i cili përmes një reagimi publik ka shprehur dhimbjen për humbjen e njërit prej figurave të njohura të luftës çlirimtare.
Geci e ka cilësuar Jasharin si një nga bijtë më të devotshëm të Kosovës, duke theksuar se ai u rreshtua në shërbim të lirisë së vendit që në ditët më të vështira.
“Sot Drenica, Kosova dhe historia e luftës sonë çlirimtare humbën një nga bijtë më të devotshëm të saj. Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, njërit ndër themeluesit dhe ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Geci.
Ai ka vlerësuar jetën dhe veprën e të ndjerit, duke theksuar se Sahit Jashari ishte simbol i sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.
“Jeta e tij ishte shembull i sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndaj kombit. Ai nuk jetoi për veten, por për idealin e madh të lirisë, duke lënë pas një trashëgimi krenarie që do të jetojë përherë në kujtesën e popullit tonë”, ka deklaruar Geci.



