Vdekja e 26 vjeçarit, Hoti: Zemërimi nuk na ndihmon ta gjejmë të vërtetën

Avdullah Hoti nga LDK-ja ka ngushëlluar familjen Musliu për vdekjen e 26 vjeçarit, derisa ka thënë se kjo është një dhimbje e madhe për të gjithë.

Ai ka thënë se në këto momente duhet të kemi durim derisa të gjendje përgjigja se si ka ndodhur ky rast.

“Të gjithë jemi të zemëruar, por zemërimi nuk na ndihmon ta gjejmë të vërtetën. Na duhet durim dhe veprim profesional e gjithëpërfshirës i organeve të ligjit për të zbardhur rastin dhe për të qenë të përgjegjshëm para familjes së të ndjerit”.

Postimi i plotë i Avdullah Hotit në Facebook:

Përfundimi tragjik i një të riu, i sapo kthyer nga studimet në Gjermani, është dhembje e madhe për familjen dhe për secilin prej nesh. Si qytetar dhe si prind, i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit, atyre që e kanë njohur dhe qytetarëve të Gjilanit.

Në këto momente duhet të jemi të kujdesshëm e të durueshëm në kërkim të përgjigjes se si na ndodhi e gjithë kjo. Karantinimi është përdorur dhe po përdoret për të parandaluar shpërndarjen e virusit. Por, pa dashur të paragjykoj asgjë, kjo nuk përligj gabimet e mundshme, neglizhencën e jo profesionalizmin.

Të gjithë jemi të zemëruar, por zemërimi nuk na ndihmon ta gjejmë të vërtetën. Na duhet durim dhe veprim profesional e gjithëpërfshirës i organeve të ligjit për të zbardhur rastin dhe për të qenë të përgjegjshëm para familjes së të ndjerit.