Testit të Gjuhës amtare dhe letërsisë sot iu nënshtruan maturantët e gjimnazeve ndërkohë që maturantët e shkollave profesionale dhe të artit këtë test do ta kalojnë nesër. Nga Ministria e Arsimit thanë për Alsat se organizimi i maturës edhe sot u realizua sipas planit në të gjitha qendrat e testimit duke shtuar se rezultatet e maturës nuk janë të rëndësishme vetëm për vazhdimin e studimeve universitare, por edhe për hyrjen në tregun e punës.
Pavarësisht që matura shtetërore akoma nuk është mbyllur, nga Ministria e Arsimit konfrimuan se 30 maturantë janë larguar nga provimi i parë i maturës shtetërore i zhvilluar më 6 qershor me arsyetimin se janë zënë duke kopjuar. Të përjashtuarit nga testi do të kenë të drejtë ta përsërisin testimin duke e paraqitur për afatin e gushtit. Siç është bërë tashmë e ditur, gjithsej 14.587 maturantë kanë paraqitur maturën shtetërore. Mbi 12 mijë maturantë janë paraqitur për maturën shtetërore të përgjithshme, ndërsa më shumë se 2 mijë për maturën profesionale.
Siç kanë informuar nga Qendra Shtetërore e Provimeve këtë vit për herë të parë nxënësit kanë pasur mundësinë të zgjedhin mes tre llojeve të maturës shtetërore: të përgjithshme, profesionale dhe artistike. Testimet e maturës po zhvillohen jo vetëm në shkolla, por edhe në amfiteatrot e fakulteteve të caktuara, ku për çdo 15 nxënës është angazhuar një testues. Për realizimin e plotë të procesit të testimit janë angazhuar rreth 2.500 testues në të gjithë vendin./Alsat.mk.



