Vazhdon gjendja e rënd me virus në Indi, mbi 400 mijë raste të reja

Në Indi një nga vendet më të prekura nga pandemia e COVID-19, në 24 orët e fundit sërish janë regjistruar mbi 400 mijë raste të reja me virus.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se me vdekjen e 4.092 personave në 24 orët e fundit numri i viktimave shkoi në 242.362. Ndërsa me 403.738 raste numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 22.296.414.

Ekspertët paralajmërojnë se numri i vërtetë i vdekjeve dhe rasteve mund të jetë shumë më i lartë se nga shifrat e publikuara.

Ndërkohë vazhdojnë trajtimin 3.736.648 pacientë. Nesër në rajonin Tamil Nadu pritet të fillojë mbyllja e plotë e cila do të zgjasë deri më 24 maj.

Në Indinë me afro 1.4 miliardë banorë, pavarësisht se nga 16 janari kur filloi fushata e vaksinimit janë aplikuar rreth 169 milionë e 440 mijë doza të vaksinës, nuk është arritur ende niveli për të ndaluar pandeminë.