Vazhdojnë luftimet Armeni-Azerbajxhan

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, vazhduan luftimet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e shkëputur të Nagrono Karabakut. Luftimet e së martës vijnë pavarësisht thirrjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që palët të respektojnë armëpushimin e arritur. Përshkallëzimi i dhunës në Nagorno Karabak ka rritur frikën se konflikti mund të zgjerohet me përfshirjen e Rusisë dhe Turqisë. Zyrtarët në Nagorno Karabak, një enklavë separatiste në Azerbajxhan që kontrollohet nga armenët etnikë, raportuan për bombardime të reja. Po ashtu zyrtarët thanë se luftimet janë intensifikuar veçanërisht në pjesën jugore të zonës së konfliktit. Konflikti në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut ka rritur frikën se mund të shkaktojë një krizë humanitare, teksa qindra persona janë vrarë në luftime.