VAR-i po e ndihmon Real Madridin gjithmonë – thotë presidenti i Barcelonës

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka akuzuar VAR-in – video asistentin e referimit – se po i ndihmon ekipit të njëjtë gjithmonë, duke lënë të kuptohet se sistemi po ia mban anën rivalit për titull në La Liga, Real Madridit.

Shefi i klubit katalonas i bëri këto deklarata pas fitores së Barçës 4:1 kundër Villarrealit të dielën në mbrëmje, falë të cilës edhe iu afrua Madridit në katër pikë, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të kampionatit, transmeton Gazeta Express.
Lexo Edhe:
Zyrtare: Manchester United ia vazhdon kontratën Nemanja Maticit

Bartomeu iu referua fitores së Real Madridit 1:0 kundër Athletic Bilbaos të dielën në San Mames, duke u shprehur i shqetësuar dhe trishtuar me vendimet e bëra nga gjyqtarët përmes teknologjisë.

Goli fitues i Madridit u arrit pasi gjyqtari e rishikoi incidentin e penalltisë në një monitor të VAR-it në skaj të fushës në minutën e 76-të.

Bilbao u ankua më vonë për një incident të ngjashëm, duke kërkuar penallti, e cila s’iu dha.

“E shikova ndeshjen në San Mames gati deri në fund. Ndihem keq sepse ne e kemi ligën më të mirë në botë dhe VAR-i pas koronavirusit nuk është i njëjti”, tha Bartomeu.

“VAR-i i ka ndryshuar disa rezultate dhe gjithmonë e favorizon ekipin e njëjtë”, shtoi ai.