UT e prezantoi ofertën akademike 2022/2023 para maturantëve të Tetovës dhe Kërçovës

Universiteti i Tetovës filloi prezantimin e ofertës akademike për vitin akademik 2022/2023 para maturantëve të vendit tonë. Ekipi promovues sot ka vizituar maturantët e shkollës së mesme të gjimnazit “7 Marsi” në Tetovë dhe maturantët e gjimnazit “Drita” të qytetit të Kërçovës.

Me këtë rast para maturantëve ata kanë dhënë informacione rreth organizimit të studimeve, kushtet dhe mundësitë që ofrohen për studentët, mënyrën e studimeve si dhe po ashtu rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe kritereve që maturantët duhet t’i plotësojnë për t’u regjistruar si studentë të  Universitetit të Tetovës.

Këtë vit akademik Universiteti ynë ofron 64 programe të ndryshme studimore në 13 njësi akademike. Për të gjithë maturantët u ndanë materiale me informacione të detajura për çdo njësi akademike për programet studimore që ofrohen për studentët e rinj. Ditëve në vijim ekipi promovues do të vizitojë edhe maturantët e shkollave tjera në të gjitha qytetet e vendit tonë për t’i informuar me ofertën akademike.

Profesorët e UT-së i kanë ftuar maturantët që më 12 maj të jenë prezentë në sheshin e rektoratit për të marrë pjesë në Ditën e Hapur.