Ushtria izraelite plagos 2 fëmijë palestinezë në Kuds dhe Ramallah

Ushtria izraelite në Kuds dhe Ramallah arrestoi 4 persona dhe plagosi 2 fëmijë palestinezë, njërin prej të cilëve me plumba të vërtetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, ushtria okupuese pengoi transportimin e fëmijës 15-vjeç nga ekipet shëndetësore që u plagos nga zjarri i hapur prej ushtrisë. Ajo nuk lejoi që fëmija i plagosur të dërgohej në spital me ambulancën izraelite.

Në lajmin e transmetuesit zyrtar izraelit, KAN thuhet se ushtria izraelite në afërsi të zonës Silwad në lindje të Ramallahut në pjesën e qendrore të Bregut Perëndimor, hapi zjarr ndaj një palestinezi që po hidhte gurë ndaj tyre dhe se ky person u plagos në këmbë.

Në një deklaratë nga Agjencia e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze thuhet se gjatë ndërhyrjes me bomba zëri të forcave izraelite kundër të rinjve palestinezë në zonën e Portës së Damaskut në Kuds u plagos në këmbë një fëmijë palestinez 14-vjeç, i cili u dërgua në spital pas trajtimit të parë mjekësor.

Gjithashtu sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga dëshmitarët në ngjarjet e ndodhura në Portën e Damaskut, bëhet e ditur se forcat izraelite kanë arrestuar të paktën një të ri palestinez gjatë përleshjes në rajon. Ndërsa është vërejtur se ekipet e sigurisë gjatë kalimit në zonë të një grupi të kolonëve hebrenj u pozicionuan në mënyrë intensive në zonën përreth.

Më tej thuhet se forcat izraelite arrestuan 3 palestinezë gjatë trazirave në zonat Silwan dhe Tur në pjesën qendrore të qytetit Kuds nën pushtim.

Tensionet në Kuds u përshkallëzuan pasi javën e kaluar gjykata izraelite mori vendimin se kolonët hebrenj kanë të drejtë të bëjnë “adhurim në heshtje” në Xhaminë Al-Aksa.