Të rinjtë e Ballkanit kërkojnë rregulla të reja për internetin dhe inteligjencën artificiale

Përfaqësues të të rinjve nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar propozime për luftimin e dezinformatave, rritjen e edukimit mediatik dhe përdorimin më të sigurt të teknologjive digjitale.
Propozimet u prezantuan në një konferencë rajonale në Dubrovnik, në kuadër të projektit „Laboratori i të Rinjve të Ballkanit Perëndimor 2“, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.
Ndër nismat kryesore është futja e edukimit mediatik si lëndë zgjedhore në shkollat e mesme, për t’i aftësuar nxënësit të identifikojnë lajmet e rreme, të verifikojnë burimet dhe të vlerësojnë në mënyrë kritike përmbajtjet online.
Gjithashtu, është propozuar një kod etik për influencuesit në rrjetet sociale, si dhe janë përgatitur materiale praktike për luftimin e bullizmit në internet dhe gjuhës së urrejtjes.
Një pjesë e veçantë e projektit i është kushtuar inteligjencës artificiale, përdorimit të saj nga të rinjtë dhe rreziqeve që paraqet për përhapjen e dezinformatave.
Organizatorët theksuan se të rinjtë duhet të përfshihen drejtpërdrejt në hartimin e politikave publike dhe jo vetëm të konsultohen për çështjet që i prekin.
Konferenca në Dubrovnik shënoi përfundimin e laboratorit të katërt rajonal, i cili këtë herë u fokusua në edukimin mediatik, dezinformatat dhe sigurinë digjitale.