Ushtari hero i krijuar nga mediat

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Nga lufta e këtyre ditëvë në Ukrainë, në një video, një ukrainas nga vetura e tij bisedon me disa ushtarë rusë që qëndrojnë para një tanku. Në mes tjerash, ushtari rus e pyet ukrainasin:’ çka po thojnë lajmet?’

Kjo është një pyetje që flet shumë për situatën e ushtarit rus. I gjori nuk e di se çka është duke ndodhur pasi nuk ka qasje në media. Ai është i shkëputur nga realiteti dhe burimi i informatave të tij është zingjiri komandues që e furnizon me gënjeshtra. Janë ‘informatat’ që i thonë se është duke e bërë një punë të mirë në luftimin e fashizmit në Ukrainë.

Një ushtar tjetër rus, në një video tjetër thot:’Kend ta gjuajmë? Të gjithë po duken sikur ne’. Edhe kjo pyetje flet shumë. Pamja e armikut me të cilin e ka furnizuar komanda, nuk ekziston. Por, është edhe një realitet tjetër. Sikur ky ushtar të ishte dërguar në Siri, Afganistan dhe Çeçeni, sikur që janë dërguar tjerët para tij, nuk do ta bënte këtë pyetje. Ai do të gjuante pandërprerë dhe mbi të gjithë se ashtu do ta kishte komandën. Do të gjuante edhe për shkak se këta tjerët, në këto raste, nuk duken sikur ai.

Ushtari rus në Ukrainë është tragjik. Ai është i vetëdijshëm se është dërguar kundër vullnetit në një luftë që nuk është e tij dhe ku mungon kauza për të vdekur. Të dezertoj, që ka mundësi të dënohet me vdekje, apo të qëndroj në radhët e ushtrisë ku përsëri mundësia për të vdekur është e madhe? Ushtari rus e ka të qartë se si do që vepron, nuk është hero.

Pa marrë parasyshë se sa e madhe është fuqia ruse, ushtarët ukrainasë janë në pozitë të volitshme. Ata nuk kanë dyshime rreth kauzës së luftës. Në këtë rast, siç po shohim, mediat janë duke krijuar heronj të panumërt. Heroi është kryetari i shtetit, boksieri kampion botëror, ai piloti fantom, misi i Ukrainës e ndonjë bukuroshe tjetër. Këto janë pamjet që i ha pazari medial. Në fakt, këta nuk janë heronj aspak. Këta nuk bëjnë asgjë më shume së që kërkohet prej tyre.

Heroin e vërtetë të Ukrainës nuk do ta shohim asnjëherë. Ai ka vdekur ose do të vdes ditëve të ardhshme duke iu bërë ballë rusëve heroikisht diku në një pozitë që është larg Facebook-ut dhe Instagramit. Pra, kjo është një luftë, në të cilën, kryesisht vendosin mediat dhe udhëheqja politike se cili është heroi.

Edhe në luftën e Kosovës heronjtë kanë vdekur në luftë. Disa mu në fillim të luftës. Disa nuk do t’i njohim kurrë për shkak se këta që kanë mbetur gjallë i ngulfatin ata për së vdekuri.

Për një të afërm timin, vetëm pas një dekade të përfundimit të luftës, kam marrë vesh se ka qenë në UÇK. E mora vesh për shkak se një ditë u ankua për shëndetin që ia cenonin disa pjesë të predhave që i kishin mbetur në trup. ‘Ti ke qenë në UÇK, a? – e pyeta. ‘Po, që nga dita e parë e deri te e fundit’- u përgjegj. Ku ta dija unë që për shkak të naivitetit tim nuk e kam pyetur dhe ai nuk ka treguar për shkak se është i urtë nga natyra dhe luftën e ka marrë si obligim e jo si rast për mburrje e përfitime. Ky duhet të jetë një lloj heroi, por këta tipa nuk i sheh askush.

Ira Hayes ishte njëri nga gjashtë ushtarët amerikanë që e vendosën flamurin e shtetit të tyre në Iwo Jima të Japonisë. Tre prej tyre vdiqën pas disa ditëve kurse Ira Hayes me dy tjerë e mbijetoi luftën. Pra, këta ushtarë ishin shpallur heronj për shkak se e ngritën flamurin në këtë ishull të vogël japonez ende pa përfunduar beteja. Data ka qenë 23 shkurt 1945 kurse fotografia që e mori dhenë quhet ‘Raising the Flag on Iwo Jima (Ngritja e Flamurit ne Iwo Jima).

Në realitet kjo fotografi nuk e paraqet ngjarjen e vërtetë. Flamuri në këtë ujdhesë është ngritur më herët nga tjerë ushtarë. Por, komandantit amerikan ky flamur iu duk i vogël dhe pas disa ditësh urdhëroi të zëvendësohej me një tjetër më të madh. Kur ndodhi akti ndërrimit të flamurit aty qëlloi Joe Rosenthal, fotografi i Associated Press. Pas dy ditëve fotografia u botua në gazetat amerikane dhe pastaj u shtyp në mijëra kopje në formë të posterave. Rosenthal për këtë fotografi e mori çmimin Pulitzer.

Pra, fotografia u bë ikonë e luftës amerikane për shkak të gazetarit, i cili pas vetes kishte fuqinë e botimit. Dhe kështu, gjashtë ushtarët u bënë heronj. Por, realiteti ka qenë ndryshe. Të parët që e venosën aty flamurin, madje nën breshëri plumbash japonezë, kanë qenë tjerë. Pra, ata është dashur të jenë heronjtë, por kanë mbetur të panjohur.

Sidoqoftë, Ira Hayes e mbijetoi luftën dhe u popullarizua shumë në Amerikë. Për të janë shkruar libra, janë bërë filma artistikë e dokumentarë. Madje, Peter La Farge, e komponoi edhe një këngë (The ballad of Ira Hayes) që u popullaruzua shumë kur filluan ta këndonin Bod Dylan dhe Johny Cash.

Por, Ira Hayes e dinte se nuk është hero vetëm për shkak se e kishte ngritur flamurin dhe për shkak se mediat e kishin bërë të tillë. Ai për heronj i merrte shokët e pushkës që kishin dhënë jetën në fushëbeteja. Pas luftës, Hayes, teorikisht ishte hero, por praktikisht mbeti një indian i zakonshëm siç ishte para luftës. Njerëzit shkonin në rezervatin ku jetonte dhe e pyesnin:’A je ti ai indiani që e ka ngritë flamurin?’. Njësoj e peysnin edhe në qytetet e Amerikës pasi që ai i ndërronte vendbanimet për të gjetur punë dhe për t’u stabilizuar. Por, nuk pati mundësi ta mbijetonte traumën e luftës dhe epitetin e heroit, me të cilin në heshtje nuk pajtohej. U dha pas alkoolit dhe një natë dimri të janarit të vitit 1955 u gjetë i vdekur nga dehja dhe acari, jo larg kasollës ku jetonte.

Ira Hayes ka patur dinjitet njerëzor që e shtynte të mos e pranonte veten hero para shokëve që iu vranë në luftë. Ai e dinte arsyen pse ishte bërë hero dhe kjo nuk i pëlqente. Por, te ne nuk ka patur askush fuqi ta refuzoj titullin e heroit. Madje, me mijëra të pafytyrë edhe janë regjistruar si luftëtarë të UÇK-së pa qenë asnjë minutë në luftë dhe pa kontribuar asnjë sekond për të. Veprimet tona në luftë, krahasuar me këta shembuj, flasin për kontraste të mëdha.
(*Marrë nga facebook i z.Daut Dautit)