Urdhër-arresti ndaj Putinit, Scholz: Askush nuk është mbi ligjin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz përshëndeti të shtunën vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për lëshimin e një urdhër-arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se ai tregon se “askush nuk është mbi ligjin”.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale është institucioni i duhur për të hetuar krimet e luftës… Fakti është se askush nuk është mbi ligjin dhe kjo është ajo që po bëhet e qartë tani”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi në Tokio me kryeministrin japonez Fumio Kishida, shkruan DW.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar të premten urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për dëbim të paligjshëm të fëmijëve dhe transferim të paligjshëm të njerëzve nga Ukraina në Rusi, që kur Moska ka filluar luftën në Ukrainë, në vitin 2022.