UNICEF: Për gjashtë muaj 1.2 milionë fëmijë mund të humbin jetën si pasojë e sistemit të dobësuar nga pandemia

Në gjashtë muajt e ardhshëm ekziston rrezik të ketë 1.2 milionë raste plotësuese të vdekjes së fëmijëve nën pesë vite, ose 6.000 raste në ditë, si rezultat i rënies së përfshirjes me shërbime rutinore shëndetësore, njoftoi UNICEF. Ky vlerësim është skenari më i keq nga tre skenare të mundshme në 118 vende të botës me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
UNICEF vlerëson se pandemia e koronavirusit vazhdon t’i dobësojë sistemet shëndetësore dhe t’i çrregullojë shërbimet rutinore. Vlerësimi i tyre bazohet në një analizë të hulumtuesve nga fakulteti për shëndet publik Bloomberg pranë universitetit Xhon Hopkins, të publikuar në revistën “Lanset Shëndeti Botëror”.
Këto 1.2 milionë viktima potenciale do të jenë veçmas nga 2.5 milionë viktima fëmijë nën moshë 5 vjeçare, që ndodhin çdo gjashtë muaj në 118 shtetet e përfshira në studim. Kjo paraqet kanosje për regres në përparimin 10 vjeçar të shënuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundje që mund të pengohen tek fëmijët nën moshë pesë vjeçare.
“Nuk guxojmë të lejojmë që nënat dhe fëmijët të bëhen dëm kolateral në luftën kundër virusit. Nuk guxojmë të humben dekadat me progres të shënuar në uljen e vdekshmërisë tek fëmijët dhe nënat nga sëmundje që mund të pengohen”, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Henrieta For.
Në vendet me sistem të dobët shëndetësor, Covid 19 shkakton çrregullim në zinxhirin e furnizimeve mjekësore dhe maksimalisht ngarkon resurset financiare dhe njerëzore. Numri i vizitave të qendrave shëndetësore ka shënuar rënie si rezultat i mbylljeve, orës policore dhe çrregullimeve të transportit, por edhe për shkak se njerëzit frikohen nga infektimi i mundshëm. Në raportin e Lanset, UNICEF paralajëmron se këto çrregullime mund të shkaktojnë rritje potenciale të vdekshmërisë tek nënat dhe fëmijët.