Qarkorja e Shkupit, një nga arteriet kryesore që lidh pjesë të ndryshme të kryeqytetit, prej kohësh ka dëmtime të shumta në asfalt.
Gjendja e rënduar e kësaj rruge shkakton vështirësi për drejtuesit e automjeteve, e jo rrallë herë përbën edhe rrezik potencial për aksidente.
“Korsia e mesme në Qarkoren e Shkupit ka shumë gropa dhe është e rrënuar pothuajse plotësisht, si rrjedhojë të gjitha automjetet, përfshirë veturat por edhe kamionët përpiqen të vozisin në korsinë e majtë duke shkaktuar rrezik potencial për aksidentet në trafik ku jo rrallë herë ka pasur edhe ndeshje me pasoja në njerëz, por edhe me raste fatale”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.
Autoritetet kanë paralajmëruar rehabilitimin e qarkores, me qëllim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në trafik. Projekti pritet të përfshijë rinovimin e shtresës së asfaltit dhe ndërhyrje në pjesët e dëmtuara të rrugës. Por, nga NP “Rrugët Shtetërore” nuk japin një afat konkret se kur do të mund të nisin punimet në terren.
“Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore kreu një procedurë të prokurimit publik për përzgjedhjen e një projektuesi për përgatitjen e projektit bazë për rehabilitimin e Qarkores së Shkupit dhe nënshkroi kontratën me projektuesin e përzgjedhur. Pas finalizimit të dokumenteve të projektit nga operatori ekonomik i përzgjedhur, do të fillojë procesi i sigurimit të burimeve financiare, do të përcaktohet se kush do t’i kryejë aktivitetet e ndërtimit dhe do të fillojnë aktivitetet e planifikuara të ndërtimit”, thonë nga N.P. “Rrugët Shtetërore”.
Kujtojmë që Qarkorja e Shkupit nisi të ndërtohej në vitin 2002 dhe u lëshua në përdorim në qershor të 2009, pra zgjati rreth shtatë vjet. E njohur si Autostrada “M-4” ka një gjatësi prej 26.7 km, e sipas burimeve zyrtare kostoja fillestare ishte rreth 70 milion euro, ndërsa me aneks marrëveshje asaj ju shtuan edhe 48.3 milion euro. Pas vërshimeve të 6 gushtit 2016 që përfshiu edhe zonën e Stajkovcës, qarkorja u dëmtua në masë të madhe dhe prej një dekade janë bërë vetëm sanime simbolike.



