Ukraina refuzon propozimet ruse për neutralitet

Ukraina tha të mërkurën se dëshiron që siguria e saj të garantohet nga forcat ndërkombëtare dhe hodhi poshtë propozimet e Rusisë që ajo të miratojë një status neutral të krahasueshëm me Austrinë ose Suedinë.

“Ukraina është tani në një gjendje lufte me Rusinë. Si rezultat, modeli mund të jetë vetëm ‘ukrainas’ dhe vetëm me garanci sigurie të verifikuara ligjërisht”, tha kryenegociatori i Ukrainës, Mikhailo Podolyak, në komentet e publikuara nga zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai bëri thirrje për një marrëveshje sigurie ligjërisht të detyrueshme, të nënshkruar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët “nuk do të qëndrojnë mënjanë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, siç bëjnë sot”.

Kremlini tha më herët të mërkurën se një Ukrainë neutrale ngjashëm si Suedia ose Austria, po diskutohej në bisedimet me Kievin për t’u dhënë fund luftimeve 3-javore në Ukrainë.

“Ky është një opsion që po diskutohet tani dhe që mund të konsiderohet si një kompromis”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Komentet e tij pasuan deklaratat e ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, se neutraliteti ishte në qendër të bisedimeve.

Suedia zyrtarisht është e paangazhuar ushtarakisht në kohë paqeje dhe neutrale në kohë lufte, pasi i dha fund politikës së saj të neutralitetit në vitin 1992 në fund të Luftës së Ftohtë.

Ajo nuk është anëtare e NATO-s, por ka qenë partnere e aleancës për gati 30 vjet.

Në fund të Luftës së Ftohtë, Suedia uli shpenzimet e saj ushtarake, por filloi të ri-investojë në mbrojtjen e saj pas aneksimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë më 2014.

Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar disa raunde negociatash.