Ukraina ofron neutralitet në këmbim të garancive të sigurisë

Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Këto propozime janë prezantuar gjatë bisedimeve me Rusinë që u mbajtën të martën në Turqi, që nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohej NATO-s apo që në bazat e saj do të vendoste ushtarë të aleancës së NATO-s, thanë negociatorët ukrainas.

Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rastin të një armëpushimi të plotë, thanë negociatorët për gazetarët në Stamboll.

Propozimet janë më të detajuarat dhe më konkretet që Ukraina i ka paraqitur publikisht. Ato gjithashtu parashikojnë garanci të sigurinë në linjë me artikullin 5 të NATO-s, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.

Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm për këto propozime.

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm”, tha negociatori Oleksander Chaly.

“Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike”, tha ai për televizionin kombëtar ukrainas.

“Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të mbahen me pëlqimin e shteteve garantuese”.

Sipas negociatorëve ukrainas, këto propozime janë të mjaftueshme që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai rus, Vladimir Putin, të takohen. Por, pala ukrainase tha se për këtë temë po pret përgjigjen e palës ruse.

Gjatë takimit në Stamboll, Ukraina kërkoi një marrëveshje armëpushimi, që nuk do të komprometonte territorin as sovranitetin e vendit.

Ndërkaq, Turqia, si nikoqire e këtij takimi, tha se bisedimet në Stamboll shënojnë përparimin më të rëndësishëm në procesin e paqes deri më tani, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Alexander Fomin, tha se Rusia do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak jashtë Kievit dhe Çernihivit, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Tass.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se forcat ukrainase me sukses kanë arritur të zmbrapsin nga një sërë pozicionesh ushtrinë ruse.

Megjithatë, sipas Britanisë, Rusia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kievin, pasi mund ta sulmojë kryeqendrën ukrainase, Kiev.

Ndërkaq, qyteti verior i Çernihivit, që është i rrethuar, sipas zyrtarëve ukrainas, sot ka përjetuar sulme të reja ruse.

Zyrtarët lokalë të Çernihivit vlerësoi se 400 banorë janë vrarë që prej se ka nisur lufta.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rrethimi rus i qytetit-port të Mariupolit përbën “krime kundër njerëzimit”.

Duke iu drejtuar Parlamentit danez, ai tha se krimet po ndodhin “para syve të të gjithë planetit që po i shikojnë në kohë reale”.

Disa ekspertë ushtarakë kanë sugjeruar se rënia e Mariupolit nën kontrollin rus mund të jetë e pashmangshme, por kanë shtuar se është e pamundur të thuhet se kur ose nëse diçka e tillë do të ndodhë.

Mariupoli, që gjendet në jug të Ukrainës, ka përjetuar sulmet më të ashpra ruse, teksa dhjetëra-mijëra civilë ende mbeten të bllokuar në këtë qytet që ka mbetur pa rrymë, ujë apo gaz.

Për shkak se qyteti është i rrethuar dhe po bombardohet vazhdimisht, civilët po kanë vështirësi që të evakuohen.

Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës Amnesty International e ka akuzuar Rusinë se ka kryer krime lufte në këtë qytet.

“Rrethimi i Mariupolit, ndalimi i evakuimit humanitar të banorëve dhe shënjestrimi i civilëve, sipas hetimit të Amnesty International përbëjnë krime lufte”, tha ajo gjatë një konference për media.

“Ky është realiteti i Ukrainës për momentin”, shtoi ajo.

Rusia mohon se shënjestron civilët, pavarësisht dëshmive se sulmon ndërtesa banimi dhe objekte të tjera joushtarake në mbarë vendin, përfshirë edhe në Mariupol.

Britania ndalon një super-jaht rus

Britania ka ndaluar një super-jaht në pronësi të një rusi, tha zëdhënësi i kryeministrit, Boris Johnson.

“Departamenti i Transportit ka punuar ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Krimeve dhe Byronë për Hetime Detare për të ndaluar super-jahtin”, tha zëdhënësi.

“Ne do të punojnë për të ndërmarrë veprime ndaj kujtdo që përfiton nga lidhjet ruse”, shtoi ai./REL