Ukraina me dronë kontrollon kufirin me Bjellorusinë

Dronët fluturojnë disa herë gjatë ditës nga pozicionet ukrainase thellë në pyjet përgjatë kufirit me Bjellorusinë. Kontrollojnë çdo lëvizje të armikut si në qiell ashtu edhe në tokë. Njësitë ukrainase mbledhin të dhëna nga kufiri 1 mijë kilometra i gjatë me Bjellorusinë.

Ukrainasit tentojnë të parashikojnë çdo lëvizje të armikut nga veriu, ashtu siç kanë vepruar rusët qëkur nisën pushtimin para një viti.

Që prej verës ukrainasit kanë përforcuar mbrojtjen duke krijuar istikame dhe duke vendosur mina në pyje me qëllim që t’ua pamundësojnë rusëve avancimin para se të nisë ofensiva e parashikuar e pranverës.

Shqetësimet për nisje të ofensivës u ngritën në muajin janar, kur Rusia dhe Bjellorusia mbajtën ushtrime të përbashkëta të forcave ajrore. Ekspertët ushtarakë, inteligjenca e Perëndimit, kanë mohuar mundësitë që Rusia të nisë sulmet e reja nga Bjellorusia.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka insistuar se nuk do ta dërgojë ushtrinë në Ukrainë, por ka lejuar Rusinë aleate që të përdorë territorin bjellorus për nisjen e raketave në drejtim të Ukrainës.