Forcat ukrainase me dronë kanë ndërmarrë një sërë sulmesh ndaj objektivave ushtarake në territorin rus, duke shënuar goditje të reja ndaj kapaciteteve ajrore të Moskës.
Sipas raportimeve, përveç shkatërrimit të katër avionëve luftarakë rusë pranë Çeljabinskut, dronët ukrainas kanë goditur edhe një aeroport ushtarak për helikopterë pranë Voronezhit.
Gjatë këtij sulmi janë shkatërruar një helikopter sulmues Mi-28 dhe një helikopter transportues Mi-17.
Helikopteri Mi-28, i njohur edhe si “Night Hunter” (vlera 15–18 milionë dollarë), është një helikopter sulmues rus i projektuar për luftime në vijën e frontit. Ai përdoret kryesisht për shkatërrimin e auto-blindave, forcave tokësore dhe objektivave të fortifikuara.
Mi-28 është i pajisur me armatim të rëndë, përfshirë top automatik, raketa të drejtuara antitank dhe raketa të pa drejtuara, si dhe sisteme moderne shënjestrimi që i mundësojnë operim si ditën ashtu edhe natën.
Ndërkohë, Mi-17 (vlera 5–10 milionë dollarë) është një helikopter transportues ushtarak shumëfunksional, i përdorur gjerësisht për transport trupash, pajisjesh dhe furnizimesh në zona konflikti.
Ai mund të përshtatet edhe për role të tjera, përfshirë evakuimin mjekësor dhe mbështetjen logjistike në fushëbetejë.
Mi-17 është një nga helikopterët më të përdorur në botë për shkak të qëndrueshmërisë dhe kapacitetit të tij të madh transportues.
Autoritetet ukrainase nuk kanë dhënë detaje shtesë për operacionin, ndërsa pala ruse ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi incidentin.



