Ukraina fillon përgatitjet për ofensivën e mundshme ruse në fillim të verës

Rusia po përgatit 100 mijë trupa për një ofensivë të mundshme verore, ka deklaruar komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Pavliuk.

“Ne nuk i dimë planet e Rusisë. Ne dimë vetëm të dhënat që ata kanë dhe çfarë po krijojnë. Ata po krijojnë grupe me më shumë se 100 mijë trupa”, tha Pavliuk.

“Nuk do të jetë domosdoshmërisht një ofensivë. Ndoshta ata do ta përdorin këtë për të plotësuar njësitë e tyre që po i humbasin aftësitë luftarake. Por, ekziston mundësia që në fillim të verës ata të kryejnë operacione sulmuese”, shtoi komandanti ukrainas.

Pavliuk bëri të ditur se Ukraina ka filluar të përgatitet për sulmin e mundshëm duke tërhequr disa brigada për t’i përforcuar aftësitë e tyre luftarake, shkruan yahoonews.

Për operacionet e mundshme ruse ka njoftuar edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW) duke theksuar se Rusia po vazhdon me operacione sulmuese në të gjithë lindjen e Ukrainës në një përpjekje për të mbajtur konfliktin “të gjallë”.

Ndryshe, që nga fillimi i luftës Ukraina gjithnjë e më shumë ka avancuar me sulmet e saj kundër forcave ruse.

Edhe pse beteja e Avdiivkës ishte një nga më të përgjakshmet deri më tani ku të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha, sipas vlerësimeve të SHBA-së që nga fillimi i luftës kanë mbetur të vdekur mbi 300 mijë rus.

Gjithashtu, me vlerësime rreth viktimave doli edhe Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar e cila tha se Rusia ka mesatarisht rreth 1,000 viktima në ditë.