Ukraina akuzon Rusinë për rrëmbimin e kryebashkiakut të Melitopolit

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka akuzuar ushtarët rusë për rrëmbimin e kryetarit të qytetit juglindor të Melitopolit.

Zyrtarët thanë se trupat ruse rrëmbyen kryebashkiakun Ivan Fedorov, të premten pasdite, pasi e akuzuan atë në mënyrë të rreme për terrorizëm, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Rrëmbimi i kryebashkiakut të Melitopolit është klasifikuar si një krim lufte, sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokollit Shtesë, të cilat ndalojnë marrjen e pengjeve civile gjatë luftës”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë.

Melitopol ra në duart e trupave ruse pothuajse dy javë më parë dhe Fedorov i tha BBC-së të mërkurën se banorët “nuk po bashkëpunojnë me rusët në asnjë mënyrë”.